E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikonin klandestinë drejt Greqisë, në pranga 5 persona



Policia e Shtetit ka goditur një grup prej pesë personash, pjesë e një rrjeti që merrej me trafikimin e klandestinëve.

Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria e Krimit të Organizuar Tiranë në bashkëpunim me policinë e Vlorës. Pasi kishin disa kohë që po hetonin personat e arrestuar, agjentët organizuan operacionin “Piramida 72”. Sipas burimeve nga policia, për çdo person grupi i trafikantëve merrte 2000 euro. Në prangat e policisë ranë Qazim Dautaj, 55 vjeç, Elidon Demaj, 31 vjeç nga qyteti i Vlorës dhe Andrea Rako, 44 vjeç, Dalip Dalipaj, 32 vjeç dhe Sinan Mato, 32 vjeç, nga Saranda. Ata janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit në pritje për të dalë përpara gjykatës së rrethit për të marrë masën e arrestit.

Pasi kishin disa kohë që kishin filluar hetimet, agjentët e policisë organizuan operacionin “Piramida 72” për të vënë në pranga grupin prej pesë personash, pjesë e rrjetit. Ndalimi i tyre u bë në qytetin e Vlorës. Sipas burimeve nga policia, të arrestuarit grumbullonin klandestinë nga vendet e ndryshme të vendit dhe më pas i trafikonin ata nëpërmjet kufirit tokësor në zonën e Sarandës.

Për të realizuar aktivitetin e tyre të paligjshëm, të prangosurit shfrytëzonin lidhjet e tyre në qytetin e Sarandës, si dhe njohjen e territorit kufitar në zonën e Konispolit, Xarës dhe Qafë-Botës dhe lidhje të tjera në Greqi.

Klandestinët transportoheshin drejt Sarandës, ku strehoheshin në baza të ndryshme strehimi, si hotele, motele e shtëpi, të gjetura nga ata. Për të bërë të mundur kalimin shtetëror të kufirit, ata përdornin autobusë. Klandestinët udhëtonin së bashku me “shoqërues”, të cilët bënin më pas shpërndarjen e tyre. Në fillim ata çoheshin në Greqi, për t’u dërguar më pas në vende të ndryshme të BE-së.

Nga hetimet paraprake mësohet se grupi i trafikantëve merrte rreth 2000 euro për çdo person që do të trafikonte. Gjatë operacionit “Piramida 72”, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi të konsiderueshme aparatesh celularë, tre automjete, që përdoreshin për transportin e klandestinëve dhe një vlerë financiare prej 6000 eurosh.

Të pestë të arrestuarit tashmë ndodhen në qelitë e paraburgimit, në pritje për të marrë dënimin nga drejtësia shqiptare. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “dhënies së ndihmës, për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›