Tre ministrat kosovarë takojnë opozitarët
Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, dhe kryetari i Komisionit të Integrimit pranë Asamblesë Kombëtare, Taulant Balla, pritën në një takim tre ministrat e qeverisë së Kosovës, përkatësisht, Fatmir Limaj, ministër i Transporteve; Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë dhe Financave; Lutfi Zhargu, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, si dhe ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Gazmend Pula. “Ne ndjekim me vëmendje të veçantë dhe gëzim ecurinë e konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës. Vlerësojmë rolin e qeverisë kosovare në zhvillimin e vendit dhe faktin që Kosova është kthyer në një faktor stabiliteti në rajon. Qeveria jonë pas zgjedhjeve të qershorit, do të hapë një epokë të re në marrëdhëniet me Kosovën, duke ndërtuar me qeverinë e Kosovës një partneritet strategjik dhe një proces bashkëpunimi të veçantë për integrimin evropian dhe mirëqenien e popullit shqiptar në të dy anët e kufirit”, - tha Leskaj pas këtij takimi. Ndërsa Fatmir Limaj u shpreh i kënaqur për konsensusin pozitë-opozitë për çështjen e Kosovës. “Jemi shumë të kënaqur që marrim mbështetje nga të dyja palët për projekte madhore, që, në fund të fundit, janë projekte me interes të përbashkët. Ashtu siç tha edhe zonja Leskaj, Kosova mezi pret ta shohë të përfunduar rrugën, sepse nuk është rrugë vetëm në drejtim të Kosovës, por midis dy shteteve tona”, - tha ai.