E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përsëritet arratisja “hollivudiane” e Alket Rizait nga burgu grek



Për të dytën herë brenda 32 muajve, dy prej kriminelëve më të rrezikshëm të Greqisë janë sërish të lirë. Me të njëjtën mënyrë, të njëjtat mjete dhe të njëjtin skenar si në 5 qershorin e vitit 2006. Alket Rizai dhe miku i tij grek, Vasilis Paleokostas, tashmë janë shndërruar për autoritetet greke në makthin më të madh, ndërsa për mediat e vendit fqinj dhe opinionin publik në protagonistët e vetëm të një rasti unik. Një arratisje spektakolare nga Koridhalosi, një prej burgjeve të sigurisë së lartë të shtetit helen. Helikopteri mbërriti pak para orës 3 në qendër të burgut më të madh të Greqisë, Koridhalos. Një shkallë litari u hodh mes zhurmës së krijuar dhe habisë së rojeve dhe dy të burgosur, që duhet të ishin në dhomat e izolimit, u ngjitën menjëherë për të lënë burgun, nën breshërinë e automatikëve të rojeve greke, duke përsëritur skenarin e dy viteve më parë. I burgosuri shqiptar, Alket Rizai, dhe bashkëpunëtori i tij, Vasilis Paleokostas, janë arratisur mesditën e djeshme nga burgu që konsiderohet ndër më të sigurtit në Greqi, për të dytën herë, në të njëjtën mënyrë. “Arratisje hollivudiane”, e cilëson e përditshmja greke “Kathimerini”, ndërkohë që ministri i Drejtësisë në vendin fqinj, tha se “nuk do të toleronte një ofendim të tillë”.

Arratisja

Arratisja e djeshme ishte një kopje e arratisjes së parë të dy të burgosurve në qershor të vitit 2006. Ashtu si edhe atëherë, në mesditën e së dielës, një helikopter i vjedhur u nis drejt burgut të Koridhalosit. Dy të burgosurit ishin dënuar në dhomat e izolimit të burgut, pas një incidenti të ndodhur pak ditë më parë, por në një mënyrë të paqartësuar ende arritën që të dilnin në hapësirën e jashtme të ndërtesës së burgut. Alket Rizai dhe Vasilis Paleokostas gjendeshin në burgun e Koridhalosit, pasi ishin në pritje të gjyqit për arratisjen e parë nga burgu në qershor të vitit 2006.

Helikopteri ishte drejtuar për në aeroportin më të madh të vendit, “Eleftherios Venizelos”, ashtu sikurse kishte ndodhur dy vjet më parë, por vetëm 15 minuta përpara arratisjes spektakolare, nuk jepte më sinjale në kullën e vrojtimit të aeroportit. Në orën 14:58 minuta rojet greke shohin një helikopter, i cili ulet drejt qendrës së fushës përpara burgut. Gazeta greke “Ta Nea”, duke cituar njërin prej rojeve, thotë se “të frikësuar nga skenari i para dy viteve, rojet nisën menjëherë të gjuajnë me breshëri helikopterin, por pa pasur shikim të qartë, për shkak të tymit të krijuar nga ulja e tij”.

Në ato çaste, nga helikopteri hidhet një shkallë litari, në lartësinë 10 metra dhe dy të burgosurit, që nuk dihet se si arritën deri aty, ngjiten me shpejtësi për t`u arratisur nga burgu. Prej breshërisë së automatikëve nuk u dëmtua asnjë prej të arratisurve, por u vetëlëndua një prej rojeve të burgut, për shkak të një rikoshete që bëri plumbi i armës së tij.

Pas pak minutash, ashtu si edhe dy vjet e gjysmë më parë, sipas mediave greke, helikopteri ndaloi në krah të një rruge gjatë aksit kombëtar “Athinë-Lamia”, ku dy të arratisurit i prisnin dy fuoristrada të zeza, me të cilat edhe u larguan. Ndërkohë, helikopteri u gjet pas një ore në një fushë aty afër, me shoferin e lidhur në pjesën e pasme të tij.

Helikopteri

Arratisja identike kishte të njëjtë jo vetëm orën, mënyrën dhe vendin, por edhe rrugën e ndjekur nga helikopteri. “Sipas të dhënave të para, helikopteri ishte marrë me qera nga kompania “Interjet” dhe gjatë ngjitjes në ajër kishte vetëm pilotin në bord”, – thotë gazeta greke “Ta Nea”. Sipas saj, rrugëtimi që do të ndiqte helikopteri ishte nga aerodromi “Eleftherios Venizelos” deri në Korint, ku do të merrte dy persona dhe do të rikthehej.

Ashtu si herën e parë, pak pas orës 2 e 30, helikopteri mori dy personat dhe nisi rrugën e kthimit për në aeroport. “Në orën 15:39, piloti deklaroi në kullën e vrojtimit se kishte për drejtim aeroportin, por prej asaj kohe, nuk u dha asnjë përgjigje ndaj thirrjeve të vazhdueshme të kullës së vrojtimit”, – thotë gazeta “Kathimerini”.

Duke qenë se piloti u gjend i lidhur në pjesën e pasme të helikopterit, autoritetet e policisë greke e morën në komisariat, nën cilësinë e dëshmitarit, pasi sipas tyre, piloti nuk ishte pjesë e këtij skenari. Pas gjetjes së helikopterit, nisi edhe kërkimi i Alket Rizait dhe Vasilis Peleokostas dhe për këtë janë ngritur me dhjetëra postblloqe në gjithë Athinën, sipas kanalit televiziv grek “Alfa”.

Reagimet

“Nuk mund të pranoj këtë ofezë. Do të merren të gjitha masat e nevojshme, sado të egra që të jenë”, – deklaroi ministri grek i Drejtësisë, Nikos Dhendhias, i cili u kthye menjëherë në Athinë, nga Korfuzi ku ishte dhe mori në pyetje të gjithë drejtuesit e burgut të Koridhalosit. Dhendhias nuk ishte ministër gjatë arratisjes së parë të dyshes së bashkëpunëtorëve, por deklaroi se “ky është një turp për vetë ekzistencën e autoriteteve shtetërore greke”.

Ai kërkoi dhe mori dorëheqjet e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, inspektorit të përgjithshëm të Burgjeve dhe drejtorit të Burgut të Koridhalosit. Mediat greke e kanë cilësuar “turp” ngjarjen e ndodhur, më së shumti pasi arratisja ishte tërësisht identike me herën e kaluar. Ndërkohë, edhe partitë politike kanë kërkuar gjetjen e përgjegjësive brenda radhëve të drejtuesve të lartë në Ministrinë e Drejtësisë, përfshi edhe ministrin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›