Arratisen nga qendra e Linzës 4 prostituta
TIRANE - Katër vajza të cilat ishin ndaluar për ushtrim prostitucioni dhe ishin vendosur prej disa muajsh në qendrën e rehabilitimit në Linzë të Tiranës, mëngjesin e djeshëm janë larguar nga qendra. Kanë qenë punonjësit e kësaj qendre ata që kanë lajmëruar policinë e kryeqytetit dhe brenda disa orëve është bërë e mundur gjetja e vajzave të arratisura. Burimet nga policia thanë se dje në mëngjes Sektori i Antitrafiqeve është njoftuar nga punonjësit e qendrës së rehabilitimit se katër vajza ishin larguar dhe nuk dihej asgjë për vendndodhjen e tyre. Pas këtij njoftimi janë njoftuar dhe janë vënë në lëvizje të gjitha shërbimet e policisë së Drejtorisë së Tiranës dhe Komisariateve. Gjithashtu, një grup i përbërë nga disa oficerë të Antitrafiqeve ka shkuar për të vëzhguar qendrën në Linzë dhe ka pyetur punonjësit në lidhje me sjelljen e vajzave dhe ata kanë deklaruar se mbrëmjen e së shtunës ato kanë qenë aty, ndërsa në mëngjes ishin larguar. Policia ka vazhduar kërkimet në zona të ndryshme, gjithashtu kanë kontaktuar edhe të afërmit e tyre. Shumë shpejt oficerët e policisë kanë mundur të identifikojnë vendndodhjen e njërës prej vajzave të larguara dhe kanë arritur të komunikojnë me të. Vajza kishte shkuar në banesën e një të afërmi të saj dhe atje është marrë në pyetje ku ka dhënë shpjegimet e saj për largimin nga qendra e rehabilitimit. Gjatë deklaratës së saj ajo ka treguar se ishte laruar nga qendra me dëshirën e saj, pasi nuk i pëlqenin kushtet aty. Edhe tre vajzat e tjera sipas saj kanë pasur të njëjtin mendim dhe kishin bërë plan që të “arratiseshin” bashkë. Menjëherë policia ka mundur të gjej edhe 3 vajzat e tjera, të cilat gjithashtu ndodheshin tek të afërmit e tyre. Sipas vajzave kushtet tek qendra e rehabilitimit nuk ishin të përshtatshme për to, kështu që kishin vendosur të jetonin tek të afërmit e tyre. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës bëhet e ditur se katër vajzat e larguara nga Linza ishin shfrytëzuar si prostituta në vende të ndryshme të Evropës. Më pas, ato kanë denoncuar tutorët e tyre, të cilët janë arrestuar dhe ato janë kthyer në Shqipëri, ku më pas janë vendosur të jetojnë në qendrën e rehabilitimit në kryeqytet.