Gjenden duke lypur në Laç dy fëmijët e zhdukur
TIRANE - Dy fëmijë, 9 dhe 10-vjeçarë, motër e vëlla, prej katër ditësh konsideroheshin të humbur nga familja e tyre, pasi prej datës 1 prill nuk ishin kthyer në shtëpi. Të miturit, të cilët lypnin nëpër rrugët e Tiranës, ishin denoncuar nga nëna e tyre, Mimoza Qerimi, 32 vjeçe, e cila madje dyshonte se dikush ia kishte rrëmbyer fëmijët për t’i trafikuar. Ndërkohë pas katër ditësh kërkimesh, mbrëmjen e së shtunës, policia i ka gjetur Erjon dhe Rozita Sopotin, duke lypur tek Kisha e Laçit. Fëmijët janë identifikuar nga policia e Kurbinit dhe menjëherë është sinjalizuar policia e kryeqytetit. Burime nga policia bënë të ditur se gjatë kallëzimit të saj në polici, Mimoza Qerimi kishte shpjeguar për policinë se me gjithë kushtet e vështira ekonomike, edhe pse fëmijët e saj ishin të detyruar të lypnin në rrugë. Fëmijët janë gjetur në kodrën pranë qytetit të Laçit, aty ku ndodhet kisha, duke lypur.