Grabitet me armë dhe maska punonjësi i Rinasit
etleva delia
Një punonjës i Aeroportit të Rinasit, ra pre e maskave mbrëmjen e të shtunës në afërsi të Fushës së Aviacionit në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes, kur i dëmtuari po përcillte të fejuarën për në shtëpi. Dy persona të maskuar kanë drejtuar automatikun nga makina tip “Benz”, më të cilën ai po udhëtonte dhe e kanë urdhëruar që të zbriste bashkë me të fejuarën, një vajzë me profesion ekonomiste. Pasi kanë zbritur nga makina, grabitësit duke i kërcënuar i kanë detyruar që të zbrazin xhepat, duke u marrë rreth 80 mijë lekë, që ata kishin me vete dhe dy telefonat celularë. Më pas janë larguar me motor, pa arritur të identifikohen. Menjëherë punonjësi i aeroportit “Nënë Tereza” Dorian Zagorçani, 27 vjeç, nga Yzberishti, ka bërë një kallëzim në Komisariatin Nr.2, por ende nuk dihet asgjë për personat që kanë kryer grabitjen. Disa minuta pas mesnatës së të shtunës Dorian Zagorçani, ka qenë duke shoqëruar me makinë të fejuarën e tij, nga Lapraka, në drejtim të Fushës së Aviacionit, ku ajo banonte. Sapo ka kaluar bllokun e pallateve, në drejtim të zonës së parkut, dy persona të maskuar i kanë dalë para makinës dhe i kanë drejtuar automatikët, duke iu bërë thirrje që të ndalonin. Më pas ata nën kërcënimin e armëve i kanë detyruar që të zbresin dhe të nxjerrin të gjitha paratë, që kishin me vete dhe telefonat. Njëri nga grabitësit i mbante armën në kokë 27-vjeçarit Zagorçani dhe tjetri mblidhte paratë që ata kishin nëpër xhepa. Pasi i kanë plaçkitur, dy personat që ende nuk janë identifikuar, kanë hipur në motor dhe janë larguar në drejtim të konvikteve të Inxhinierisë së Ndërtimit. Të terrorizuar nga ngjarje Zagorçani bashkë me të fejuarën e tij, e cila ishte ekonomiste nga Ballshi, kanë shkuar tek Komisariati Nr.2 ku kanë denoncuar grabitjen. Ata kanë dhënë përshkrimet për dy grabitësit, por pa dhënë shumë detaje, pasi errësira nuk i ka lejuar që të shohin me imtësi personat që i plaçkitën. Oficerët e Seksionit të Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë që prej fillimit të këtij viti, kanë disa dosje të hapura të grabitjeve që kanë ndodhur gjatë këtij viti. Shumica prej tyre janë pa autor dhe kanë një mekanizëm të njëjtë. Grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje hedh dyshime të forta se autorët janë të njëjtët e disa grabitjeve, që kanë ndodhur gjatë këtij viti në kryeqytet dhe që autorët e tyre ende nuk janë arrestuar. Grabitësit procedojnë duke lëvizur me motoçikleta që shmangin shumë bllokimin e mundshëm në trafik dhe i ndërrojnë ato, duke mos u larguar shumë nga zona përreth kryeqytetit.
Precedentët 2009
4 janar 2009
Grabitet parukeria “Magic Hair”, tek rruga “Qemal Stafa” në Tiranë.
10 janar 2009
Dy persona tentojnë të grabisin servisin e Feim Llanajt, në Unazën e re në Tiranë. Pronari vret njërin prej tyre, Petrit Pjetrin.
18 shkurt 2009
Grabitet pika e këmbimit valutor “Kalenja” shpk., në Tiranë. Plagoset pronarja Redina Shametin.
27 shkurt 2009
Grabitet 20 mijë euro në pikën e këmbimit valutor “Royal-M”, tek “Ushtari i panjohur” në Tiranë.
14 mars 2009
Grabiten 70 mijë lekë tek farmacia “Gledis”, tek sheshi “Shtraus”, në Tiranë.
16 mars 2009
Grabitet 300 mijë lekë në një dyqan të AMC-së tek rruga e Dibrës, në Tiranë.
22 mars 2009
Grabiten 350 mijë lekë në një pikë Euro-Lloto, në Allias të Tiranës, në pronësi të Agron Abazit.