“Kaos ligjor me shkarkimet e gjyqtarëve”
Trazhgim Sokolaj
Ekspertët ndërkombëtarë “zbulojnë” një kaos ligjor në fushën e procedimeve disiplinore kundër gjyq-tarëve që abuzojnë me detyrën. Katër specialistë të misionit evropian EURALIUS, që asiston Shqipërinë në fushën e drejtësisë, thonë se kuadri ligjor mbi procedimet disiplinore të gjyqtarëve është i shpërndarë në tri ligje, duke lënë vend për kaos në zbatimin e tij. Konkretisht bëhet fjalë për tri ligje, të cilat përmbajnë dispozita që flasin për të njëjtën gjë, duke krijuar një përplasje mes tyre e për më tepër kaos mes institucioneve që janë ngarkuar me zbatimin e tyre. Në një raport të detajuar, që është përgatitur në fillim të këtij viti dhe ka përfunduar në fund të marsit 2009, ekspertët e misionit EURALIUS, trajtojnë një varg problematikash serioze në lidhje me procedimet disiplinore të gjyqtarëve shqiptarë, shumica e të cilave kanë përfunduar me masën ekstreme të shkarkimit nga detyra. “Kuadri ligjor shqiptar për inspektimet dhe procedimet disiplinore është i shpërndarë në ligje të ndryshme. Procedurat për shkarkimin e një gjyqtari dhe për të marrë masa disiplinore, si dhe e drejta për t’u ankuar, parashikohen në ligjin nr.9877 datë 18.2.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, Ligjin nr 8811 datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” të ndryshuar dhe Ligjin nr. 8678 datë 02.11.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, të ndryshuar”, thuhet në raportin e misionit të asistencës evropiane në fushën e drejtësisë, EURALIUS. Duket se edhe drejtësia nuk bën përjashtim nga fushat e tjera, ku Shqipëria ka një shumicë ligjesh të cilat gjithsesi zbatohen keq në rastin më të mirë apo nuk zbatohen fare duke mbetur përsëri në një gjendje që vlerësohet negativisht nga organizmat ndërkombëtarë. Në pjesën e parë të raportit të EURALIUS, i cili u publikua dje nga gazeta “Panorama”, thuhej se pavarësisht shkarkimit të 135 gjyqtarëve nga 1997-2009, imazhi i gjyqësorit shqiptar mbetet negativ ndërsa besimi i publikut në këtë sistem është minimal në lidhje me dhënien e drejtësisë.
Dy inspektoratet
Pa u thelluar në problematikën mes Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë dhe atij të KLD-së, ekspertët e BE-së thonë se puna e tyre është e dyfishtë në lidhje me procedimet ndaj gjyqtarëve. “Të dy inspektoratet bëjnë inspektime bazuar në ankesat e qytetarëve dhe në rezultatet e inspektimeve tematike dhe të përgjithshme të gjykatave dhe gjyqtarëve. Puna e dyfishtë dhe mungesa e bashkëpunimit ndërmjet dy inspektorateve krijon probleme në praktikë. Kjo çështje do të diskutohet më tej në dokumentin tonë të përbashkët me ekspertin gjerman që po punon për projektin dypalësh”, thuhet më tej në raportin e EURALIUS. Përplasjet mes dy inspektorateve, atij të KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë, kanë qenë prezente gjatë viteve të fundit duke krijuar disa precedentë “ftohje” dhe përplasjesh mes dy institucioneve. Shpeshherë është dashur që abuzime të konsideruara si të vërteta nga Inspektorati i Ministrisë, të verifikohen për së dyti lidhur me qëndrueshmërinë e tyre nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, çka ka sjellë përplasje e mospërputhje të vazhdueshme mes dy institucioneve.
Shkarkimet s‘përmirësojnë gjyqësorin
TIRANE – Në pjesën e parë të raportit të hartuar nga EURALIUS theksohet se shkarkimi i gjyqtarëve apo masat e tjera disiplinore ndaj tyre, nuk rezultuan si një mekanizëm i efektshëm për përmirësimin e gjyqësorit. Besimi i publikut dhe qytetarëve në këtë sistem mbetet minimal, duke e konsideruar atë mes pushteteve më të korruptuara në vend. Pavarësisht kësaj situate kritike, që nga viti 1997 deri në vitin aktual, janë ndëshkuar 135 gjyqtarë çka duket një shifër “mbresëlënëse” krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian. Ekspertët e huaj rekomandojnë se trajnimet dhe një nivel më i mirë trajtimi e përkrahje ndaj gjyqtarëve, do të kishte më tepër efekt në këtë drejtim.
“Ndëshkoni gjyqtarët që gabojnë, mos prekni vendimet”
TIRANE – Në një analizë të përgjithshme, ekspertët e BE-së konsiderojnë se procesi i procedimit disiplinor të gjyqtarëve është administrativ. Si i tillë ai nuk duhet të prekë themelin e vendimeve gjyqësore, qofshin ato edhe të gabuara. “Një nga standardet më të rëndësishme evropiane është që në fushën e përgjegjësisë disiplinore duhet të përjashtohet çdo kontroll administrativ i Ministrisë së Drejtësisë apo KLD-së mbi vendimet gjyqësore. Gabimet gjyqësore, qofshin në lidhje me juridiksionin apo procedurën, në konfirmimin apo zbatimin e ligjit ose në vlerësimin e provave, duhet të trajtohet nëpërmjet ankimit në një gjykatë më të lartë. Projekti i Binjakëzimit Spanjoll-Italian e ka shprehur këtë standard në një nga rekomandimet e tij: “Gjyqtarët nuk mund të procedohen për shkak të interpretimeve të tyre gjyqësore dhe përcaktimet e shprehura në vendimet gjyqësore”. Fatkeqësisht ky rekomandim nuk është respektuar dhe nuk është përfshirë në Ligjin ri për Pushtetin Gjyqësor të shkurtit 2008", thuhet në raportin e EURALIUS, bërë publik në fund të muajit mars, vetëm pak ditë më parë.