Gardisti kërcënon me armë policin
GJIROKASTER / PIRO NASE
Skandal mes pun-onjësve të policisë. Shoferi i drejtorit të Policisë së Gjirokastrës qëllon me grushte inspektorin e rendit në postbllok, ndërsa një oficer i Gardës e kërcënon me armë. Incidenti i rëndë ndodhi të shtunën, në afërsi të urës së Leklit, në rrugën nacionale Gjirokastër-Tepelenë. Bashkë me Blerim Mëhillin, i cili mori menjëherë masën e pezullimit, i përfshirë në ngjarje është dhe një punonjës i Gardës. Për policinë, ata kanë qenë në gjendje të dehur, por hetimet tashmë i kanë kaluar prokurorisë. Të dhënat nga dëshmitarë në vendngjarje, por dhe të konfirmuara zyrtarisht nga policia e Gjirokastrës, bëjnë të ditur se ka qenë ora 18:00 e së shtunës kur pranë postbllokut policor, i cili ka për qëllim të luftojë trafiqet narkotike dhe njerëzore, ka mbërritur një automjet tip “BMË”, me targë GJ 84 20 A. Pasi i është bërë shenjë të ndalonte shoferit Qëndrim Çela nga fshati Krahës i Tepelenës i janë kërkuar dokumentet. Por, në gjendje të dehur, Çela nuk ka pranuar të japë për verifikim dokumentacionin e automjetit, duke kundërshtuar në mënyrë stoike. Edhe pas kërkesës së bërë nga policët për kontrollin fizik të automjetit, shoferi nuk ka pranuar duke iu thënë atyre se “nuk kishte dokumentet sepse i disponon shefi që po vjen nga pas”. Kjo fjali nuk është marrë në konsideratë nga ana e policëve, duke insistuar sërish në kontrollin fizik. Nuk kanë kaluar shumë minuta dhe menjëherë në vend ka mbërritur me një makinë me targa të huaja shoferi i drejtorit të Policisë së Gjirokastrës, Blerim Mëhilli, i cili shoqërohej nga një person tjetër. Policia nga ana e saj ka kërkuar identifikimin e personit shoqërues të shoferit të drejtorit të Policisë së Gjirokastrës. Ai është prezantuar si Evis Mërtiri, oficer i Gardës Kombëtare duke treguar një dokument, i cili nuk u arrit të verifikohej në moment për shkak të incidentit të ndodhur. Shoferi personal i kryepolicit Arben Hysenaj ka qëlluar me grushte në drejtim të inspektorit të rendit, Armand Gaba, duke i shkaktuar plagë në syrin e majtë. Ndërkaq, personi i prezantuar si oficer i Gardës Kombëtare, ka nxjerrë armën e zjarrit duke kërcënuar Gabën. Duke përfituar nga kjo përleshje trup më trup në prezencë edhe të policëve të tjerë të grupit të gatshëm, shoferi i ndaluar që nuk kishte pranuar t’i kontrollohej automjeti, është larguar me shpejtësi duke i lënë policët të ziheshin me njëri-tjetrin. Menjëherë pas këtij skandali, policët e postbllokut kanë informuar sallën operative dhe eprorët e tyre. Për këtë çështje dje është marrë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, i cili ka përpiluar dosjen, duke e dërguar në Prokurorinë e Rrethit. Mësohet se për këtë ngjarje janë vënë në dijeni edhe krerët e lartë të Policisë së Shtetit dhe kreu i Gardës. Ndërkohë, po dje Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka kryer veprimet e tij, duke dërguar për ndjekje penale personat e përfshirë në incidentin e rëndë.
Sherri në Gjirokastër, dosja te kreu i policisë dhe Komandanti i Gardës
TIRANE - Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dërgoi për ndjekje penale oficerin e Policisë së Gjirokastrës dhe punonjësin e Gardës së Republikës, që ushtruan dhunë ndaj kolegut të tyre pranë Urës së Leklit në aksin Gjirokastër-Tepelenë, mbrëmjen e së shtunës. Burime nga Ministria e Brendshme konfirmuan dje se për këtë ngjarje janë njoftuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi dhe komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Punonjësit e policisë së Komisariatit të Gjirokastrës dhe Tepelenës, që kryenin shërbimin në postobllok, kanë ushtruar kontroll mbi automjetin tip BMV, me targa Gj 84 20 A, që drejtohet nga Qëndrim Çela nga fshati Krahës i Tepelenës. Punonjësit e policisë mësohet se i kanë kërkuar të paraqesë dokumentacionin e automjetit, por ky shtetas nuk ka pranuar duke kundërshtuar me fjalë të ashpra punonjësit e policisë. Ndërkohë, ka mbërritur punonjësi i policisë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, Blerim Mëhilli, së bashku me Evis Mërtiri, me detyrë punonjës policie në Gardën e Republikës, të cilët kanë debatuar me punonjësit e postobllokut të policisë, për arsyen e ndalimit të shtetasit Qëndrim Çela, që ishte miku i tyre. Sipas burimeve nga policia, bëhet e ditur se dy policët që kanë debatuar me punonjësit e postobllokut kanë qenë në gjendje të dehur. Më pas debati ka degjeneruar në grushte, ku oficeri i policisë së Gjirokastrës, Mëhilli dhe ai i Gardës, Mërtiri kanë goditur në fytyrë njërin prej punonjësve të policisë së Komisariatit të Policisë Gjirokastër, i cili kryente shërbim në postobllok. Forcat e policisë në postobllok kanë ndërhyrë për të normalizuar gjendjen dhe kanë shoqëruar në komisariat kolegun e tyre, Mëhilli. Ndërsa punonjësi i Gardës, Evis Mërtiri dhe drejtuesi i mjetit të ndaluar, Qëndrim Çela janë larguar me shpejtësi në drejtim të Tepelenës. Pas ngjarjes është bërë pezullimi nga detyra i policit Blerim Mëhilli, si dhe po kërkohen dy personat e tjerë. e.d
Policia e Gjirokastrës sqaron ngjarjen
Kryepolici Hysenaj largon shoferin
GJIROKASTER – Kryepolici i Gjirokastrës, Arben Hysenaj, pezullon nga puna shoferin e tij, Blerim Mëhilli. Për incidentin e mbrëmjes së të shtunës ka reaguar zyrtarisht edhe Policia e Gjirokastrës, përmes zëdhënësit të saj, Gentijan Mullai. Sipas tij, ngjarja ndodhi në momentin kur policët e postbllokut në urën e Leklit i kërkuan Qëndrim Çelës paraqitjen e dokumenteve. “Ndërsa Blerim Mëhilli dhe Evis Mërtiri kanë debatuar me punonjësit e postbllokut të policisë për arsyen e ndalimit të shtetasit të lartpërmendur, pasi edhe këta shtetas kanë qenë në gjendje të dehur. Më pas debati ka degjeneruar kur shtetasit e lartpërmendur kanë goditur me grushte në fytyrë njërin prej punonjësve të policisë së Komisariatit të Policisë Gjirokastër, i cili kryente shërbim në postbllokun e policisë”, u deklarua dje në komunikatën zyrtare të policisë. “Forcat e policisë në postbllok kanë ndërhyrë për të normalizuar gjendjen dhe shoqërimin e personave për në komisariat, por Evis Mërtiri dhe Qëndrim Çela janë larguar me shpejtësi në drejtim të Tepelenës. Nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër janë marrë masa të menjëhershme për këtë ngjarje, duke pezulluar nga detyra punonjësin e policisë Blerim Mëhilli dhe nisjen e proceduarave disiplinore ndaj tij si dhe vazhdon puna për kapjen e dy shtetasve të tjerë, të cilët u larguan nga vendi i ngjarjes”. Sipas Mullajit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ka nisur veprimet ligjore në lidhje me këtë ngjarje dhe materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme. p.n