"Arratiset" avioni me 110 pasagjerë
Një avion pasa-gjerësh i linjës Tiranë-Bolonja devijoi dje trajektoren e fluturimit dhe u ul në Bratislava të Sllovakisë. Burime zyrtare nga komisariati i policisë së Rinasit thanë se avioni ishte ngritur në fluturim rreth orës 16:31 me 110 pasagjerë në bord, shumica prej tyre shtetas shqiptarë. Rreth 50 minuta pasi avioni i kompanisë "Albanian Airlines" ishte ngritur në fluturim në Rinas janë paraqitur familjarë të pasagjerëve të alarmuar për fatin e njerëzve të tyre të afërm. Avioni me dy pilotë sllovakë, kishte ndërprerë çdo komunikim me Rinasin duke ndryshuar trajektoren mbi Adriatik dhe duke marrë në të djathtë në drejtim të Bratislavës, kryeqytet i Sllovakisë. Informacionet e para të mbërritura në policinë e Rinasit flisnin për në defekt teknik mirëpo shpejt është konfirmuar se bëhej fjalë për një protestë të pilotëve dhe ekuipazhit të avionit ndaj kompanisë për vonesat e rrogave. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Rinasit është marrë informacion për ngjarjen dhe rezulton se akti i dy pilotëve sllovakë që kanë mbajtur "peng" 110 pasagjerët shqiptarë ka qenë një akt proteste ndaj kompanisë e cila nuk u kishte vënë rrogat. Policia tha se edhe më parë ishte vënë në dijeni të këtij problemi ndërsa me aktin e djeshëm pritet që dy pilotët sllovakë të përballen së paku me sanksione administrative. 110 pasagjerë "peng" Dhjetëra qytetarë prisnin dje në aeroportin e Rinasit me ankth një lajm për të afërmit e tyre që ishin ngritur në fluturim dje në orët e mbrëmjes për në Bolonja dhe kishin përfunduar në një destinacion krejt tjetër. Mbrëmë pak para mesnatës, nga Ministria e Transporteve u konfirmua se një avion çarter me personel po përgatitej për tu nisur në drejtim të Bratislavës për të negociuar rikthimin e pasagjerëve në Shqipëri ose udhëtimin e tyre me avion në drejtim të destinacionit për ku ishin nisur. Shqetësimi kryesor dje në mbrëmje lidhej me një defekt të mundshëm në avion por më pas të afërmit e pasagjerëve ankoheshin për faktin se personat që ndodheshin në avion kishin përfunduar në një qytet ku nuk kishin rezervime e madje as leje qëndrimi. Dëshmitë e pasagjerëveInformacionet e dhëna nga pasagjerët e avionit konfirmuan mbrëmë versionin e policisë së Rinasit se fillimisht pretekst për ndryshimin e trajektores nga dy pilotët sllovakë ka qenë një defekt teknik. Sipas të dhënave që pasagjerët kanë përcjellë përmes telefonatave tek të afërmit e tyre që ishin grumbulluar mbrëmë në Rinas, shqetësimet në avion kanë filluar pasi u kuptua se fluturimi për Bolonja po zgjaste më tepër se zakonisht. Pasagjerët kanë kërkuar informacion nga stjuardesat dhe më pas pilotët e avionit kanë lajmëruar sektorin e pasagjerëve me altoparlant se avioni kishte një defekt që mund të riparohej vetëm në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratislava. Avioni ka vazhduar edhe për rreth 25-30 minuta fluturim nga ky moment derisa është bërë ulja në aeroportin e Sllovakisë. Aty pasagjerët shqiptarë janë zbritur nga avioni ndërsa pilotët dhe stjuardesat janë larguar pa dhënë asnjë shpjegim. Deri para mesnatës pasagjerët shqiptarë ndodheshin në një sallë në aeroportin e Bratislavës pa u lejuar të lëviznin që aty. tr.so.MPPTT: Fluturim ekstra, pasagjerët në BolonjaMinistria e Transporteve deklaroi mbrëmë se avioni tip Boeing 737/300 me shenjë OM-ASD me nr fluturimi LV 226 është nisur dje në ora 16:31 me destinacion Bolonja. Derisa ka kaluar hapësirën ajrore shqiptare sipas ministrisë avioni ka fluturuar në trajektoren e rregullt. Ai kishte një kontratë me Albanian Airlines prej 3 muajsh sipas të cilës avioni, ekuipazhi dhe mbulimi i sigurisë operacionale i përket Republikës së Sllovakisë. Drejtoria e Aviacionit Civil ka autorizuar shoqërinë "Albanian Airlines" të bëjë një fluturim ekstra për transportimin e pasagjerëve nga aeroporti i Bratislava në drejtim të Bolonjës. Në pritje të këtij fluturimi, pasagjerët ishin akomoduar në ambientet e aeroportit të Bratislavës.