Vllaznia “harron” shpejt Sinanin
Sulmuesi i Vllaznisë ka vlerësuar si mjaft pozitive ardhjen e Sead Haxhibuliç në Shkodër duke “shkurorëzuar” indirekt ish-kapitenin e tij dhe kolegun e sulmit, Vioresin Sinani. Bekim Bala, një nga zbulimet e këtij sezoni te Vllaznia, ka bindjen se sulmi shkodran në pjesën e dytë të kampionatit do të jetë ndër më të mirët. 19-vjeçari, me paraqitjen e tij mbresëlënëse, sidomos gjatë fazës së dytë (shënoi 6 gola), fitoi me të drejtë që të jetë pjesë edhe e zborit të ekipit tonë përfaqësues që u zhvillua në Turqi. Në fakt, sulmi shkodran ka qenë një ndër repartet që ka kaluar një periudhë të vështirë në këtë sezon. Kjo ndoshta ka bërë që drejtuesit e klubit të shikonin për një tjetër sulmues, që ishte i sapoardhuri Sead Haxhibuliç. Nga ana tjetër, ikona e Vllaznisë, Vioresin Sinani, u largua për tek Besa. Me fillimin e sezonit, drejtuesit po kërkonin që të gjenin pikërisht emrin përkrah Sinanit, ndërsa në këtë merkato lojtarin e duhur që do të formojë dyshen me talentin Bala. “Për mua të luaja përkrah Sinanit ka qenë një privilegj i madh, - pohon fillimisht Bala, në një bisedë për ‘Panorama’. – Ai (Sinani) mbetet një lojtar shumë i mirë. Ndërsa sot, përkrah Haxhibuliçit shpresoj që të mund të bëj më të mirën, ashtu siç munda të realizoja kur luaja në krah të Sinanit. Mendoj se edhe Haxhibuliç është një lojtar cilësor, ndaj besoj se unë do të di që të përshtatem ashtu siç duhet me të. Jam shumë optimist dhe i bindur se ne si dyshe do të funksionojmë për mrekulli në këtë pjesë të mbetur të sezonit”. Duke folur për Vllazninë, shtatlarti vuri në dukje ndryshimet në ekip gjatë merkatos së janarit. Kuqeblutë, Bala i gjen me shumë afrime, por edhe me kërkesa të tjera. “Përsa i përket Vllaznisë, mund të them se kam gjetur shumë ndryshime nga sa kam lënë kur kam udhëtuar për në Turqi me ekipin përfaqësues. Shoh më shumë grintë e kërkesë llogarie. Mendoj se gjithçka ka filluar të lëvizë në kahun e duhur. Ekipit i janë bashkuar disa lojtarë të rinj, që për mendimin tim janë vërtetë cilësorë. Nga ana tjetër, mund të them se në takimet miqësore ne kemi marrë maksimumin, e për më tepër me një lojë të bukur. Ka grintë e dëshirë në stërvitje dhe kjo të bënë të shpresosh se këtë gjysmë sezoni do ta fillojmë dhe do ta mbarojmë krejt ndryshe. Jam shumë optimist për këtë Vllazni”, - përfundon Bala, i cili është kërkuar edhe nga disa skuadra të Superligës gjatë merkatos së këtij muaji.