Kapllani titullar, Skela e Bogdani “ngrohin” stolin
Ditë jo pozitive për legjionarët tanë, por diçka më ndryshe ka qenë për skuadrat ku ata luajnë. Edmond Kapllani e ka nisur si titullar debutimin e tij te TuS Koblenzi por pa arritur të tregojë asnjë nga vlerat e tija. Sulmuesi shqiptar i ardhur vetëm para disa ditësh në formë huazimi tek kjo skuadër së bashku me Shqipron Skerajn ishin shqiptarët e parë që zbritën në fushë për Koblenzin në përballjen shtëpiake ndaj Mynih 1860 (2-2). Edhe pse vendasit shënuan dy herë me anë të Hartman (6') dhe Glokner (54') ata nuk arritën të merrnin tri pikë të plota. Bavarezët barazuan me Aigner (11’) dhe Ludvig (72’). Kapllani u zëvendësua nga trajneri i tij, në minutën e 64-të duke i lënë vendin një tjetër shqiptar, Njazi Kuqit. Ndërsa Ervin Skela luajti vetëm për 7 minuta, teksa zëvendësoi në minutën e 83-të, Daniel Gunkel. Në ndeshjen tjetër të Bundesliga 2 FSV Frakfurt i Jugen Gjasulës u mund nga Duisburg me rezultatin 5-0. Gjasula luajti për gjithë ndeshjen. Në Itali, Bogdani nuk luajti asnjë sekondë në fitoren shumë të rëndësishme të Kievos ndaj Juventusit (1-0) në “Bentegodi”. Ndërsa Blerim Xhemaili luajti si titullar për gjithë ndeshjen në barazimin e Parmës (0-0) në fushën e vet ndaj Udinezes. Humbje e thellë e Lazios së Igli Tares (3-0) në Bergamo nga Atalanta.