E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjisorët e huaj të joshur nga tema e gjakmarrjes

 alma mileTë huajve u duket ekzotike. është shekulli XXI dhe ende në disa krahina të veriut të Shqipërisë, banorët i besojnë më shumë vetëgjyqësisë se gjykimit të shtetit. Vijnë e kërkojnë historia në malësitë e veriut, ndërsa një të tillë e kanë mu në qendër të Tiranës. Tema e gjakmarrjes, e këtij zinxhiri sanguin, të trashëguar që prej moteve të Lek Dukagjinit, vazhdon të josh regjisorët e huaj. I fundit që ra “pre” e kësaj teme është amerikani Joshua Martson regjisori dhe skenaristi i filmit “Maria full of Grace”, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare. Që përpara se të vinte në Shqipëri, Martson po piqte idenë për të realizuar një film në vendin e shqiponjave, por kjo ide u kthye në një projekt konkret, kur ai erdhi në Tiranë në muajin dhjetor, gjatë Tirana Film Festival. Dhe do të bëjë një film për gjakmarrjen. Pas audicionit në Shqipëri, ai do të zhvillojë këto ditë një audicion edhe në Kosovë e më tej në Shkup. Xhirimet e filmit do të zhvillohen në veri të Shqipërisë në periudhën prill-maj 2010. Për rolet kryesore, regjisori dhe skenaristi Andamion Murataj kanë marrë në audicion mbi 1200 adoleshentë nga shkollat e zonës së Shkodrës. Historia mbi të cilën bazohet filmi ngjan me qindra syresh që kemi dëgjuar deri më sot. Historira, ku njerëzit vriten për një copë tokë, apo për një metër gardh. Kështu, ngjarjet e filmit ndodhin në një familje në veri të Shqipërisë, e cila duhet të jetojë në izolim, pasi një debat për pronën, ku ishte i përfshirë burri i shtëpisë, ka përfunduar në vrasje. Regjisorit i intereson më së shumti jeta në izolim, çfarë ndodh brenda asaj shtëpie të shënjuar dhe si ndikon kjo gjendje në psikikën e çdonjërit prej anëtarëve të familjes. Për të ngritur skenarin, autorët, Martson dhe Murataj kanë shfrytëzuar intervista dhe kërkime të drejtpërdrejta, të kryera nga ata vetë. Gjatë ekspeditave të tyre ata dëgjuan qindra histori familjesh të ngujuara, ndërmjetësish, mësuesish, nxënësish, etj. Tashmë ata janë në procesin e përzgjedhjes së aktorëve. Pas disa ditësh ata do të zhvillojnë një audicion në Teatrin Kombëtar të Prishtinës e më tej do të udhëtojnë drejt Shkupit. Regjisori i Marisë hirplote nuk është i vetmi që është tërhequr nga subjektet shqiptare e aq më tepër, ata që kanë në qendër gjakmarrjen, apo hakmarrjen. I tillë është edhe filmi i aktores, tanimë edhe regjisore, francezes Fanny Ardant, “Cendres et sang” (“Hi dhe gjak”), i cili do të shfaqet këto ditë në Festivalin e Filmit në Trieste. Ardant, e cila e ka përshtatur vetë skenarin, është bazuar mbi librin e Ismail Kadaresë, “Eskili ky humbës i madh”. Ardant është shprehur për mediat franceze se ajo është mahnitur, jo vetëm nga ngjarja, por edhe nga stili i shkrimtarit të madh shqiptar. “Hi dhe gjak” sjell historinë e Judit dhe tre fëmijëve të saj, Ismailit, Pashkos dhe Mirës. Një martesë në vendlindje e kthen gruan dhe tre fëmijët e saj në atdhe, pas 18 vitesh mungese. Por rikthimi i saj do të ringjallë hesapet e vjetra mes familjesh. Kështu nis edhe një herë cikli i dhunës dhe gjakderdhja... Ardant ka preferuar ta vendosë ngjarjen në Rumani dhe në fakt filmi është një bashkëprodhim franko-rumun. Por dhjet vjet më parë, do të ishte regjisori Walter Salles, ai që do të bënte një film mbi një tjetër libër të Ismail Kadaresë. Bëhet fjalë për “Prillin e thyer”, i cili iu ofrua publikut të kinemasë nën titullin “Abril Despedaçado”. Salles e vendos historinë shqiptare në verilindjen e Brazilit, ku Tonio, një 22-vjeçar vijon zinxhirin e trashëguar të gjakmarrjes, si rrjedhojë e së cilës mbetet edhe vet i vrarë. Filmi, i cili është shfaqur edhe në ekranet shqiptare, në vitin 2001, ka qenë i dominuar për Golden Globe, si filmi i huaj më i mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›