Një bust për vete dhe të tjerët e “Portokallisë”
Albert HitoaliajSi nuk u bë një bust për Temet e kësaj pjese të botës, për Temet e Shqipërisë?! Një bust për vetëmburrjen, për qesharaken që kapërcen çdo parashikim dhe që përfundon në tragji-komedi. E tillë është natyra e tregimeve satirike të librit të fundit të shkrimtarit Agron Goga, “Si nuk u ngrit një bust për mua!”. Bëhet fjalë për një përmbledhje tregimesh humoristike, të cilat me mprehtësinë e tyre arrijnë të të shkëpusin të qeshura pa fund. Megjithatë, suksesi nuk qëndron te ana komike, që autori di ta ndërtojë me mjeshtëri dhe ta sjellë me origjinalitet, duke shkrirë në të elementët e së përditshmes, por te mënyra si të vë në mendosh në fund të saj. Agron Goga me këtë rast ka materializuar me mjeshtëri sentencës e poetit të njohur Thomas S. Eliot: “Humori është vetëm një mënyrë për të thënë diçka serioze”. Humor që prodhohet nga ato situata e probleme që kanë krijuar kolapse në shoqërinë shqiptare. Temja, Zeqoja, Jorgaqi e Aneja nuk janë vetëm personazhet e “Portokallisë” që shfaqen në këtë libër, por janë kampione të shoqërisë tonë, janë pasqyrë e problemeve të mprehta, me të cilët në jetën e përditshme askush nuk qesh, në mos po bën të kundërtën. Këtu qëndron edhe mjeshtëria e autorit: të bën të qeshësh me ato probleme, të cilat kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, pasi ndoshta e kanë kaluar edhe nivelin e tragjikes dhe po kthehen në një absurd të vazhdueshëm. Të gjithë e kanë takuar një herë Temen, Anenë apo Jorgaqin ose Zeqon. Të gjithë e kemi takuar vetëmburrjen, gënjeshtrën, paaftësinë, dredhinë, injorancën e fenomene të tjera të mishëruara në personazhet e librit. Të gjithë janë përballur vetë ose nëpërmjet të njohurve të tyre, kanë qenë dëshmitarë të situatave të pabesueshme që jepen në tregime. Të gjitha histori komike, të gjitha të sajuara, të gjitha të vërteta, të gjitha shqiptare. Të (pa) besueshme si në rastin kur Temja shkon të marrë një certifikatë në gjendje civile dhe i thonë se kishte një vit që kishte vdekur. Ndodh. Po, në Shqipëri ndodh që ke vdekur dhe nuk e di akoma, ashtu si ndodh që pas vdekjes duhet të kesh mik për një vend “të mirë” në botën tjetër. “Të paktën të kisha lajmëruar shokët që të pinin një gotë raki për 1-vjetorin e vdekjes time” -do të thoshte Temja. Qeshjet shpesh vijnë të përziera edhe me një lloj shije të hidhur, që të lë paraqitja e hiperbolizuar e një realiteti që ndoshta s’e ka edhe shumë të nevojshme këtë gjë. Dhe Temja tregon... Ai dëshmon për historinë, ashtu si të gjithë Temet që ne shohim e takojmë përditë, ashtu si të gjithë Zeqot apo Anetë. Dhe ata dalin nga korniza e librit (në të cilin kanë secili nga një përfaqësues) dhe krijojnë një kor, dy, tre e kështu me radhë, në një rrëmujë të cilën, vetë ai, Temja, e përcakton kur e shikon Shqipërinë nga lart si: “Një çorganizim i organizuar nga pikëpamja, organike, urbanistike, ekologjike”!. Në këtë mënyrë, Agroni kapërcen edhe profecinë e Jorgaqit, personazhit tjetër të librit, atij që ka një filozofi jete, të nxjerrë nga përvoja si fotograf: “Nga një fotografi, ulesh e shkruan një histori. Nga një libër historie nuk bën dot kurrë një fotografi! (Unë, Jorgaqi)”. Ndryshe nga kjo sentencë e Jorgaqit te “Si nuk u ngrit një bust për mua”, nuk jepet thjesht një pamje bardhë e zi, por një panoramë e gjerë e realitetit, një profil që kapërcen edhe kufijtë e kohës, duke i bërë personazhet sa fantastikë, aq edhe të vërtetë për ato ngjarje që edhe pse thuhen me humor, në brendësi janë me piper. Si një kalorës i veçantë, Xha Temja na shfaqet herë duke luftuar me Duçen, i cili e pushton Shqipërinë jashtë orarit zyrtar dhe herë duke biseduar me vjehrrin Hrushov, i cili e shpall “dhëndër nderi”. Sakaq, vjen si personazh i ditëve tona që kontribuon fuqishëm për ta futur vendin në NATO, falë miqësisë së tij me Shoferin. Rrëfyesi Teme, mbi të gjitha mbetet veterani i të gjitha luftërave, mashtruesi që gënjen të gjithë dhe beson madje gënjeshtrat e veta. Pra, një Nastradin i kohëve moderne, ose më saktë akoma, një version shqiptar i baronit të Mynhausenit. I tillë na vjen xha Temja, pjesa qesharake e fytyrës së historisë dhe njëherazi pjesë e historisë që përjetojmë. “Xha Temja, një rrëfenjës pa epilog” Një rrëfenjë që do vazhdojë dhe nuk do të ketë epilog. Kështu e vlerëson Agron Goga autori i librit “Si nuk u ngrit një bust për mua” përpjekjen disa vjeçare për ta mbajtur të gjallë profilin e xha Temes së “Portokallisë”. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai zbulon një pjesë të filozofinë të personazheve të tij dhe rrethanat në të cilat u ngjitën në skenën e spektaklit të mirënjohur... Cilët janë personazhet kryesore dhe çfarë mesazhi përcjell te lexuesi ky libër?Nuk bëhet fjalë për personazhe të panjohur. Ata tashmë janë miqësuar me shumëkënd: Xha Temja, Jorgaqi, Aneja dhe Zeqoja çdo të diel janë të pranishëm nëpërmjet “Portokallisë” në shtëpitë e shqiptarëve. Në librin e porsabotuar “pjesën e luanit” e zë xha Temja. Në thelb të karakterit të këtij personazhi është fenomeni i vetëmburrjes, një fenomen i vjetër e arkaik, i cili fatkeqësisht po evidentohet gjithnjë e me shumë si një dukuri tipike shqiptare. Ai shfaqet rëndom si tipar i njerëzve mediokër, fodull, mashtrues e dallaveraxhinjsh, të cilët shpesh kërkojnë t’u imponohen të tjerëve me forma e mjete qesharake për t’u vetëngritur në piedestal... Në optikën tuaj, ç’ vend zë ky fenomen në jetën e shoqërisë? Mjafton të shikojmë me kujdes në ekranet e televizioneve dhe do ta dallojmë hapur këtë “risi” shqiptare. Një armatë e tërë pseudo intelektualësh të së gjitha fushave, sferave e profesioneve të ndryshme të cilët kanë “pushtuar” ekranet e televizioneve dhe kane hyrë në një garë të ethshme para syve tanë, kush e kush ti vetëvendos sa më shumë “tulla” “piedestalit” të vet. Njerëz pa kurrfarë kontributesh shpesh herë hapur e pa ju dridhur qerpiku, mundohen që antivlerën ta shesin për vlerë, dështimin ta shohin si arritje, injorancën si dije, regresin për progres, padrejtësinë si drejtësi, krimin si humanizëm,vesin si virtyt etj. Jetojmë në një realitet, ku kjo “risi” alla shqiptare kërkon të “licensohet” e të fitojë qytetarinë si domosdoshmëri e kohës,pa të cilën shoqëria nuk mund të ecë përpara. Pra, duhet me i gris maskën kësaj pamje të pështirë që na ndot mjedisin përditë. Ky është edhe mesazhi kryesor i këtij libri. Njerëzit duhet të kontribuojnë në fusha të caktuara aq dhe sa munden, por duke ruajtur gjithmonë sensin e masës për vlerat e kontributet. Zakonisht, njerëzit e punës, me kontribute e me vlera të vërteta intelektuale kanë karakteristikë të tyre modestinë. E kundërta ndodh me mburravecët që fatkeqësisht shtohen përditë.Si u “njohe” me xha Temen?Në fakt xha Temja është “produkt” i fantazisë së aktorit të talentuar të humorit, Agron Llakaj dhe stafit të “Portokallisë”. Miqësia e hershme me ta më ka ofruar mundësinë që të shkruaj për këtë personazh shumë interesant. Te xha Temja, kam parë një qasje afër stilit dhe mënyrës time të së shkruarit. është një karakter që më ka tërhequr shumë dhe jam munduar ta shtoj përditë “garderobën” e xhevahireve të tij. Natyrisht, gjithkush njeh një xha Teme të tij, mund ta ketë komshi, bashkëfshatar, shok shkolle, lufte, aksioni etj. Unë kam sjellë xha Temen e perceptimit tim, atë që kam njohur. Megjithatë, merita i takon mikut tim të vjetër, mjeshtrit të së qeshurës Agron Llakaj, i cili ka krijuar një figurë të tillë interesantë dhe që shpeshherë është bërë shtysa ime për zgjerimin e tematikës së këtij personazhi interesant. Sa është kohëzgjatja e punës që është dashur për materialin e pasqyruar në libër?Këto tregime janë mbledhur në një periudhë kohe për rreth dy vjet. Një pjesë e kësaj krijimtarie është publikuar në skenën e “Portokallisë”, ndërsa pjesa më e madhe e tregimeve janë të e papublikuar më parë. Gjej rastin për të falënderuar për kontributin dhe ndihmesën e madhe dhe punën shumë profesionale të dy miqtë e mi, shkrimtarin e njohur z. Pëllumb Kulla si redaktor i librit dhe “kumbarë” i titullit të tij, si dhe të redaktorit letrar z. Thoma Goga, të cilët kanë bërë të mundur një paraqitje shumë të saktë gjuhësore.Mendoni se libri ia ka arritur qëllimit?Për këtë është mirë të pyesni lexuesin. Kryesore është që njerëzit, pasi të kenë lexuar librin jo vetëm të qeshin me tregimet humoristike, por më e rëndësishmja është që ata të vihen në mendime e të reflektojnë. Në këtë rast, vepra është e arrirë dhe synimi i autorit është i përmbushur.