E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arratiset ish- bosi i piramidës Bashkim Driza

Ish- drejtuei i skemës rentiere në vitet '96- '97, është arratisur nga banesa e tij në Montevideo të Uruguajit, ku ishte në arrest shtëpie

Driza u arrestua në muajin shtator në Amerikën Latine, për t'u ekstraduar drejt Shqipërisë, ku iu detyrohet 870 mln lekë kreditorëve

Ish- drejtuesi i fondacionit piramidal "Populli", Bashkim Driza, ka braktisur banesën e tij në kryeqytetin e Uruguajit, Montevideo, ku qëndronte në gjendje arresti në pritje të vendimit të ekstradimit të drejtësisë së këtij vendi për llogari të autoriteteve shqiptare, duke u arratisur në drejtim të paditur.

Lajmi është emetuar dje në disa media vizive dhe elektronike, të cilat kanë njoftuar aratisjen e Drizës nga vendi ku ai qëndronte në izolim, në banesën e tij në kryeqytetin uruguajan Montevideo.


Ai ishte arrestuar nga policia e vendit amerikano- latin në muajin shtator të vitit të kaluar pasi ai ishte në listat e personave në kërkim ndërkombëtar, i shpallur nga policia shqiptare.


Arratisja e ish- bosit të piramidës "Populli", është konfirmuar për autoritetet shqiptare prej homologëve të tyre uruguajanë të cilët kanë pohuar se Bashkim Driza 50 vjeç i dënuar me 16 vite burg nuk gjendej në banesën e tij ku ndodhej në gjendje arresti. Një konfirmim i tillë sipas burimeve, ka ardhur prej pak ditësh në zyrat e autoriteteve shqiptare.


Këta të fundit tashmë duhet të rinisin kërkimet e tyre për zbulimin e vendndodhjes së mundshme të Drizës, i cili jetonte në shtetin e Amerikës Jugore, së paku prej 5 vitesh kur ishte larguar nga Gjermania.


Në këtë vend, ai kishte mundur të fitonte shtetësinë përkatëse pikërisht me emrin e tij, Bashkim Driza duke u bërë qytetar uruguajan me të drejta të barabarta. Ende nuk ka të dhëna të plota se në ç'rrethana ka ndodhur largimi i Drizës, nga një prej banesave që ai kishte në pronësi në Montevideo të Uruguajit, por ngjarja ka ndodhur rreth 6 muaj pas arrestimit të tij nga autoritete amerikano latine.

Driza, aktualisht me shtetësinë e vendit nga ku u arratis ka qenë në pritje të procesit gjyqësor të ekstradimit ndaj tij, në drejtim të Shqipërisë. Këtu ai duhet të vuajë një dënim prej 16 vitesh burg të dhënë për krimin e mashtrimit në shuma të mëdha, kundrejt rreth 304 mijë kreditorëve.

Ndërkaq që prej arratisjes së tij, policia uruguajane është vënë në kërkim të tij, ndërsa Interpoli Tirana, ka rifreskuar të dhënat për ish- bosin e piramidave gjatë periudhës 1996,- 1997, duke e rishpallur atë në kërkim.

Arrestimi


Pas më tepër se 12 vitesh kërkim, Bashkim Driza u arrestua nga policia urguajane më 22 shtator të vitit të kaluar në kryeqytetin Montevideo në bazë të urdhrit të arrestit ndërkombëtar të Policisë Shqiptare. Këtij urdhër arresti i ishte bashkangjitur edhe një vendim i Gjykatës së Tiranës dhënë në vitin 2002, që e dënonte Drizën me 16 vite burg për veprën penale të mashtrimit.


Tri ditë pas arrestimit të tij, autoritetet policore Uruguajane, homologët e tyre shqiptarë për arrestimin e Drizës. Po kështu ata kishin komunikuar se ai kishte shtetësi uruguajane, ndërsa gjykata e Montevideos, pasi kishte shqyrtuar arrestimin e tij, kishte caktuar për Drizën masën e arrestit shtëpiak deri në përfundim të procesit gjyqësor për ekstradimin e tij në drejtim të Shqipërisë.


Sipas vëzhgimeve që ishin kryer nga interpoli dhe nga informacionet e marra prej tyre ai kishte qëndruar në disa prej kryeqyteteve të vendeve të Amerikës Latine, ku kishte nisur një jetë të re dhe të kryente veprimtarinë e tij ekonomike.


Siaps burimeve të policisë që i referoheshin Drejtorisë së Policisë së Montevideos, ish- kreu i piramidës "Populli", Bashkim Driza, lëvizte shpesh në Kili, Peru, Paraguaj e Brazil. Madje udhëtimet më të shpeshta i kishte në kryeqytetin e Republikës Domenikane Santo Domingo

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›