E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë;Ekspertiza, mjekimi i mjekëve i saktë për 22-vjeçaren



Ekspertiza mjekësore ka përcaktuar se shkaku i vdekjes së 22-vjeçares Rajmonda Bleta ka qenë temperatura, ndërsa terapia e aplikuar nga mjekët e spitalit të Vlorës ndaj pacientes ka qenë në përputhje me shenjat e problemeve shëndetësore që ata kanë konstatuar. Kanë qenë ekspertë të ardhur nga Tirana dhe Fieri që kanë dhënë këtë rezultat. Sipas mjekëve të spitalit, autopsia vërtetoi se nuk ka diskordancë mes mjekimit dhe shkakut të temperaturës, që çoi në vdekjen e 22-vjeçares Bleta. Autopsia vërtetoi se nga pikëpamja makroskopike, pacientja nuk vuante nga ndonjë sëmundje specifike, sikundër është meningjiti, që të arrihet në konkluzionin se mjekimi i përdorur ishte i dëmshëm. Rajmonda Bleta ka ndërruar jetë vetëm 12 orë pas shtrimit në spitalin e Vlorës. E reja ka pasur temperaturë të lartë dhe mjekët e kanë shtruar atë menjëherë, ndërsa e kanë mbajtur nën vëzhgim, duke e kuruar me antibiotik e serume për të stabilizuar gjendjen e keqe në të cilën ndodhej. Por, për familjarët e Bletës ka qenë mjekimi i gabuar që ka çuar në këtë vdekje. Mësohet se e reja ka kryer një abort në muajin janar, por gjithsesi gjithçka do analizohet nga ekipi mjekësor, drejtuesit e spitalit dhe njëkohësisht edhe nga prokuroria që ka nisur hetimet. Familjarët kërkuan me ngulm të dinë shkaqet që çuan në humbjen e vajzës së tyre, duke mos kursyer akuzat për bluzat e bardha, që sipas tyre, kanë qenë neglizhentë dhe të papërgjegjshëm, që e kanë diagnostikuar gabim Rajmonda Bletën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›