Katër persona bllokohen në Midë të Pukës
Katër persona kanë mbetur të bllokuar në pikën e Midës, në rrethin e Pukës. Të bllokuar janë shtetasit Nazmi Hila, Angjeil Gera, Pjerin Voci dhe Arben Ndoci. Në orët e vona të mbrëmjes, katër personat mundën të hynin në kullën e Midës, por gjendja e tyre shëndetësore vazhdon të jetë jo e mirë për shkak të temperaturave të ulëta. Nazmi Hila, një nga personat ushtarakë që ka mbetur në dëborë është më rëndë nga tre të tjerët.
Njoftimi është bërë me telefon në një televizion nga tre ushtarakët dhe punonjësi i Telekomit, duke bërë thirrje për ndihmë. Menjëherë ka reaguar kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, i cili dha urdhër për nisjen e një helikopteri në ndihmë të tyre. Por, tentativa me helikopter dështoi për shkak të motit të keq dhe erërave të forta, duke e detyruar atë të kthehet sërish në kryeqytet. Më pas, një tjetër helikopter, kësaj radhe i ushtrisë u nis në drejtim të Pukës, brenda të cilit ishin disa specialë të RENEA-s, të cilët do të ndërhynin për nxjerrjen e katër personave të bllokuar në mes të dëborës. Por, operacionet nga ajri kanë dështuar për shkak të motit të keq dhe errësirës, duke bërë që katër shtetasit të mbeten ende mes borës. Megjithatë, ajo që dihet nga kontaktet me ta përmes telefonit, është gjendja shëndetësore e njërit prej ushtarakëve, e cila është përkeqësuar 6 orë pas bllokimit në dëborë. Forcat e policisë po bëjnë të pamundurën për t’iu afruar vendit ku ndodhen. Drejt vendit të ngjarjes, pas kthimit të dy helikopterëve, mësohet të jenë nisur 30 forca policie për të zhbllokuar të izoluarve. Sipas të bllokuarve, mësohet se ndodhen të bllokuar në stacionin e pompave në rrethin e Pukës dhe se trashësia e borës atje ka arritur deri në 1.5 m, çka e bënë të pamundur lëvizjen e automjeteve. Gjithashtu bëhet e ditur se për të mbërritur deri në Midë ku dhe ndodhen të bllokuar 4 personat duhet plot 2 orë rrugë, nëse kjo e fundit do të ishte e lirë.