E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Sajmir Ballës, prangoset Alfred Hoxha



Policia e Durrësit ka arrestuar autorin e katërt të vrasjes së një 25-vjeçari në muajin nëntor të vitit të kaluar. Në prangat e uniformave blu ka rënë Alfred Hoxha, banues në Shkozet, i shpallur në kërkim për një vrasje të kryer tek i ashtuquajturi “Dyqani i luleve”. Sipas të dhënave të policisë, Hoxha është një prej katër autorëve të vrasjes së Sajmir Ballës, ngjarje kjo e ndodhur më 14 nëntor të vitit të kaluar, tek vendi i quajtur ish-“Dyqani i luleve”. I arrestuari kishte kohë që fshihej nga policia, që në vitin 2008 kur edhe ka ndodhur ngjarja. Uniformat blu kishin vënë në pranga edhe tre persona të tjerë të dyshuar si bashkautorë për ekzekutimin e 25-vjeçarit Saimir Balla, pas sherrit në lokal. Të ndaluar nga policia ishin Ervin Kodra, 26 vjeç, lindur e banues në lagjen nr. 13, në plazhin e Durrësit, Elis Tefa, 21 vjeç dhe Orges Dervishi, 25 vjeç, që të dy banues në lagjen nr. 14. Ngjarja për të cilën akuzohet Hoxha dhe tre të tjerët ndodhi më 14 nëntor të vitit 2008, rreth orës 12:15 në lagjen nr. 4, prapa Pallatit të Kulturës, përpara spitalit të vjetër në këtë qytet. Nga burimet policore mësohet se Balla ka replikuar ashpër me katër personat në një lokal të qytetit. Më pas sherri ka vazhduar prapa Pallatit të Kulturës. 25-vjeçari Sajmir Balla po lëvizte me një automjet tip “Range Rover”, kur është goditur me katër plumba pistolete në gjoks. Mësohet se edhe viktima ishte i armatosur, por nuk ka mundur të veprojë, pasi ndaj tij është zbrazur i gjithë karikatori i pistoletës së autorit. Një polic i Qarkullimit Rrugor ka qenë aty pranë dhe i ka dhënë ndihmën e parë 25-vjeçarit, duke e çuar në spital në gjendje të rëndë me makinën e viktimës. Por, sapo ka mbërritur në dyert e spitalit, 25-vjeçari Sajmir Balla ka humbur jetën pa mundur të marrë ndihmën mjekësore. Pesë orë pas vrasjes është vetëdorëzuar në komisariatin e Laçit Elis Tefa. Ndërkohë, policia vuri në pranga edhe bashkëpunëtorët e tjerë, Orgest Dervishin dhe Xhulio Mançen.

Detaj

25-vjeçari po lëvizte me një automjet tip “Range Rover”, kur është goditur me katër plumba pistolete në gjoks

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›