E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arratiset nga qendra, gjendet te gjyshërit

Korçë Adoleshentja e braktisur

Një 15-vjeçare e shpallur në kërkim nga një qendër rehabilitimi në Elbasan është gjetur nga policia në Korçë. Adoleshentja A.B. është larguar fshehurazi nga qendra që kujdesej për rehabilitimin e të miturve të braktisur dhe është gjendur nga policia te gjyshërit e saj në qytetin e Korçës. Vajza e larguar prej dy ditësh është rikthyer sërish në qendrën pritëse në Elbasan. Burime të policisë së Korçës, bënë të ditur se qendra pritëse në Elbasan ku trajtohej kjo 15-vjeçare, dha alarmin për largimin e saj. Policia që ka shtrirë kërkimet e saj në disa drejtime, e ka gjetur vajzën e mitur te gjyshërit e saj në qytetin e Korçës, ku gjente strehë pas braktisjes së prindërve. Qendra pritëse dhe e rehabilitimit për të miturit që shfrytëzohen, sinjalizoi menjëherë policinë pas largimit dy ditë më parë të 15-vjeçares, sepse dyshohej për një shfrytëzim të saj. Më parë, e mitura korçare ishte shfrytëzuar si prostitutë në Tiranë, e më pas kur kishte mundur të shpëtonte qarkullonte në Korçë apo qytete të tjera. Duke qenë e braktisur nga prindërit, 15-vjeçarja që kishte mbetur e pastrehë është lënë të trajtohet në një qendër pritëse në Elbasan, nga ku ka ndërmarrë tentativën e largimit pa leje duke u shpallur person në kërkim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›