E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksident në Qafë-Kërrabë, dy të vdekur e tre të plagosur

Elbasan – Një parakalim i gabuar u ka kushtuar jetën dy personave dhe tre të tjerë janë plagosur rëndë. Ky është bilanci i një aksidenti automobilistik në Qafë-Kërrabë, ku një familje maqedonase udhëtonte nga Rinasi drejt qytetit të Strugës. Ngjarja, sipas burimeve policore, ka ndodhur rreth orës 14:40, përgjatë rrugës automobilistike Tiranë-Elbasan, në zbritje të Qafë-Kërrabës, më vendin e quajtur “Ura e 13”, rreth 15 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Një automjet i tipit “Land-Rover”, fuoristadë, me targa amerikane, PHOMAS522MGH, ku drejtuesi i mjetit, Sasha Stefanoski, ka humbur kontrollin e drejtimit duke rënë rreth 300 metra në humnerë. Fillimisht është mësuar se ka gjetur vdekjen në moment drejtuesi i mjetit, Sasha Stefanoski, por pak minuta më vonë është konfirmuar edhe vdekja e babait të tij, Vaso Stefanoski, rreth 70 vjeç. Policia ka shkuar shpejt në vendngjarje, e cila ka bërë të mundur nxjerrjen gjallë të të plagosurve, duke i transportuar me urgjencë drejt spitalit kirurgjikal të qytetit të Elbasanit. Nga ky aksident, sipas burimeve policore, kanë mbetur të dëmtuar dhe 3 prej pasagjerëve, Marian Metofski, 31 vjeç, nga Struga, nipi i drejtuesit të mjetit, si dhe dy fëmijët e tij, Maria Stefanoski, vjeç 13, si dhe Filip Stefanoski, 10 vjeç. Mësohet se dy fëmijët jetonin në çikago dhe kanë udhëtuar dje drejt Rinasit për t’u nisur prej andej në qytetin e Strugës, ku dhe banonin. Në fakt, mësohet se në këtë aksident janë përfshirë tre automjete, dy prej të cilave me targa shqiptare. Sipas specialistëve të policisë së Elbasanit, mjeti me targa amerikane ka parakaluar me shpejtësi në një kthesë dhe dy mjetet e tjera, për të ruajtur krahun e parakalimit të gabuar, kanë frenuar në momentin që mjeti i huaj ka dalë nga rruga dhe si shkak edhe i lagështirës, janë përplasur me njëri-tjetrin, por pa dëmtime. Tre të plagosurit i janë nënshtruar menjëherë ndërhyrjes së mjekëve të Elbasanit, të cilët kanë qenë të mendimit se edhe mund të niseshin për një shërbim më të specializuar në spitalin ushtarak të kryeqytetit. Policia është duke hetuar mbi ngjarjen, por paraprakisht kanë nxjerrë si shkak të aksidentit lagështirën, rrugën e vështirë, shpejtësinë dhe parakalimin e gabuar të mjetit me targa të huaja.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›