Ethet hemorragjike, virusi del nga fshati
Rritet numri i të prekurve nga ethet hemorragjike, ndërkohë që zgjerohet harta e vatrave të sëmundjes. Dje janë shtruar edhe dy raste të tjera, një burrë nga qyteti i Kukësit, nga një lagje periferike ku mbarështojnë bagëti, si dhe një burrë nga fshatrat e Hasit. Por mjekët thonë se situata është nën kontroll dhe kapja në kohë e sëmundjes eliminon rrezikun vdekjeprurës. Në pavijonin e infektivit të spitalit të Kukësit aktualisht ndodhen tre persona të shtruar me ethe, por aty kanë kaluar gjithsej 14 persona, një pjesë e të cilëve janë kuruar në Tiranë për mungesë të medikamenteve në Kukës.
Mungesa e ilaçevePas udhëtimit në Kukës, tri ditë më parë të një ekipi nga Ministria e Shëndetësisë, spitalit të Kukësit iu premtua një kontingjent ilaçesh të nevojshme, kryesisht “ripavirinë”, për të kuruar të sëmurët. Mjekët e spitalit të Kukësit thanë për gazetën “Shqip” se paketa me “ripavirinë” pritet të mbërrijë të mërkurën në Kukës dhe se mungesa e këtij ilaçi lidhet jo vetëm me burokracinë e ministrisë, por edhe të vetë spitalit rajonal të Kukësit, i cili në kushtet e vetëfinancimit duhet të shpenzojë vetë për një numër ilaçesh. Medikamentet për ethet hemorragjike, për plasjen, leshmanjozën etj., të cilat gati çdo vit janë shfaqur në zonat rurale, kushtojnë relativisht shtrenjtë. “Ne kemi porositur një sasi “ripavirinë”, por nuk kemi aq të holla për çdo ilaç të kushtueshëm”, tha një mjek, duke shtuar se gjendja financiare e spitalit nuk ishte shumë premtuese.
Ndërkohë, drejtori i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, tha dje se mungesa e “ripavirinës” ishte shkaktuar nga vonesa e tenderëve, por tashmë është urdhëruar furnizimi i menjëhershëm i spitalit të Kukësit.
DezinfektimiNga ana tjetër, Drejtoria e Shëndetit Parësor në Kukës thotë se po merren masa për dezinfektimin në mënyrë të përsëritur e vatrave të infeksionit për të eliminuar çdo shfaqje të sëmundjes. Specialistët shpjegojnë se moti me vranësira dhe reshje do të ndihmojë për minimizimin e efektit të dezinfektimit dhe do të dalë e nevojshme që ky proces të ripërsëritet. Ndërkohë, një ish-veteriner tregon se para vitit ’90, në kohën e kooperativave bujqësore masat parandaluese kundër rriqnës përmbanin masa më të forta se një spërkatje dezinfektuese e thjeshtë. “Ndërtoheshin pishina të caktuara që mbusheshin me ujë ku hidhej një sasi e caktuar preparati. Në këto pishina futnim bagëtitë, të cilat dezinfektoheshin në pjesën e barkut ku edhe qëndron rriqna. Vetëm në këtë mënyrë arrinim të eliminonim në një farë mënyre përhapjen e sëmundjes te njerëzit”, tha veterineri.
Mënyra e përhapjesSpecialistët shpjegojnë se rriqna përhapet edhe me mënyra të tjera përveç infektimit të bagëtisë. Kur bagëtitë kullotin apo mrizojnë në hije një pjesë e rriqnave bien në tokë dhe jetojnë për shumë kohë në bar. Një prej të sëmurëve, i shtruar para një jave në spitalin e Kukësit nga ku ka dalë plotësisht i shëruar, tha se mund ta ketë marrë infeksionin e rriqnës gjatë kohës që ka qëndruar i shtrirë në bar në pushimin e drekës. Përveç bagëtive edhe kafshët e egra të infektuara mund të shkaktojnë infeksionin te njeriu nëse ky bie në kontakt me to qoftë edhe në mënyrë indirekte. Përhapja më e gjerë e rriqnës ndodh në zonat e dushkut, por edhe në mjedise me bimësi të tjera. Vetëm zonat e pishave dhe bredhit janë mjedise që nuk favorizojnë përhapjen e rriqnës, pasi aroma e pishës i largon këto insekte. Rriqna e përcjell virusin edhe brenda gjinisë së vet, që do të thotë se një rriqnë e sëmurë pjell shumë të tjera të sëmura.
#