E Shtunë, 31 Tetor 2026

I kushtëzojnë pijen, vetëvritet me çifte

Ngjarja

Elbasan - Një 52-vjeçar është vetëvrarë me armë zjarri gjatë ditës së djeshme në qytetin e Elbasanit. Policia lokale bëri të ditur se ngjarja ndodhi në lagjen “Emin Matraxhiu” të këtij qyteti, gjatë paradites së të martës, në vendin e quajtur Krastë. Sipas burimeve zyrtare, Rustem Liçi, baba i tre fëmijëve, është vetëflijuar duke u vetëvrarë me armë zjarri tip “çifte-teke”, të cilën e kishte me leje. 52-vjeçari është vetëvrarë në banesën e tij rreth orës 09:30 të kësaj paraditeje dhe trupi i pajetë i tij është gjetur aty nga i biri, i cili ka sinjalizuar policinë për ngjarjen. Pak kohë para se Liçi të merrte aktin vetëvrasës, mësohet se ka lajmëruar vajzën e tij, që ishte në ekskursion me klasën e saj në Vlorë, se duhej të vinte patjetër. Dyshohet që shkak i vetëvrasjes së tij të ketë qenë gjendja e rëndë psikologjike e krijuar për shkak të kushteve të rënda ekonomike. Por, burime të afërta familjare sqarojnë se 52-vjeçari duhet të jetë vrarë nën trysninë e pjesëtarëve të familjes së tij për doza të tepruara alkooli prej shumë kohësh. Një ditë para këtij akti, mësohet se familjarët e tij i kanë fshehur armën, duke parë edhe çekuilibrin e tij në kohën që përdorte pije të tepruara alkoolike. Madje, ky shkak i fundit ka qenë prej kohësh objekt debatesh familjare, kur kryefamiljari vinte gjithmonë i dehur në shtëpi. Policia ka marrë në pyetje familjarët dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje. Ende nuk ka një deklaratë zyrtare të policisë, nëse kemi të bëjmë me vetëvrasje apo me një krim. Por, gjithsesi, paraprakisht flitet për një vetëflijim të 52-vjeçarit në momente depresive.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›