E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arratisja në Kavajë, ndjekje penale për policët e shërbimit

 

TIRANE - Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dërgon për ndjekje penale dy policët që ishin në shërbim në Komisariatin e Kavajës, në momentin e arratisjes së Edmond Piraniqit katër ditë më parë. Policët Agim Kotoni dhe Iljan Lika kanë shpërdoruar detyrën, pasi kanë neglizhuar në punë duke abuzuar, deri në arratisjen e një të arrestuari nga dhomat e paraburgimit. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë bënë të ditur se SHKB ka propozuar pezullimin e tyre nga detyra, deri në përfundim të hetimeve, pasi ata kanë shkelur nenin 63 të Ligjit të Policisë, që flet për detyrimin e punonjësve të policisë për të parandaluar arratisjet e të shoqëruarve, ndaluarve dhe të arrestuarve. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kishte nisur hetimi ndaj Agim Kotonit dhe Iljan Likës, që prej mbrëmjes kur i arrestuari për kanosje, Edmond Piraniqi, u largua nga qelia, duke shfrytëzuar momentin që dy punonjësit e policisë ishin larguar për pak kohë nga vendi i punës. Veprimet proceduriale kanë përfunduar dje dhe dosja në ngarkim të tyre është dorëzuar në Prokurorinë e Kavajës. Burime nga policia bënë të ditur se tashmë pritet vetëm firmosja e urdhrit për pezullimin e tyre nga puna, deri sa të përfundojnë hetimet. Ngjarja për të cilën Kotoni dhe Lika akuzohen se kanë abuzuar me detyrën, ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, në Komisariatin e Kavajës. Edmond Piraniqi kishte vetëm 24 orë që ishte ndaluar për kanosje, edhe pse qelinë e provonte për herë të katërt. Piraniqi ka përfituar nga mungesa e policit roje, duke dalë nga qelia e izolimit dhe më pas me anë të dritareve ka dalë në pjesën e jashtme të komisariatit, duke ia mbathur. Polici që në atë kohë ishte roje, por ishte larguar, kur është kthyer ka gjetur të hapur derën e qelisë dhe personi i arrestuar nuk ndodhej më brenda. Më pas ka lajmëruar kolegët, por koha për Piraniqin ka qenë e mjaftueshme sa për t’ia mbathur larg komisariatit. I arratisuri u arrestua në një banesë në Durrës, vetëm 24 orë pasi ishte larguar nga qelia, duke u rikthyer sërish aty nga ishte arratisur. et.de

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›