E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia marrëveshje me Italinë, “rindizet” sistemi TIMS

 

TIRANE-Pas ndërprerjes së punës prej disa ditësh, dje sistemi TIMS ka filluar të funksionojë sërish, falë marrëveshjes që është nënshkruar nga Policia e Shtetit me Italinë. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë bënë të ditur se marrëveshja duket se është bërë në bazë të ligjit shqiptar, pasi parashikon si parapagim vetëm 10 për qind të vlerës që kushton shërbimi dhe jo shumën e plotë ashtu siç pretendonte pala italiane. Fillimisht është firmosur kontrata mes dy palëve për vënien në funksionim sërish të TIMS-it, dhe shuma prej 9 mijë eurosh pritet që të paguhet në ditët në vazhdim. Vlera totale për të gjithë vitin e këtij shërbimi, që mundësohet nga Italia, arrin vlerën e 90 mijë eurove. Por sipas burimeve në kontratë, ende nuk është përcaktuar se kur do të paguhet shuma totale, që mbetet pas pagesës së 10 përqindëshit. Anomalia e shkaktuar në këtë sistem javën e kaluar, shkaktoi vonesa dhe radhë të gjata nëpër pikat e kalimit kufitar, pasi policëve u duhej që të gjitha hyrjet dhe daljet në porte, aeroporte dhe pika kufitare, t’i mbanin shënim në letër. Kjo erdhi si pasojë e një mosmarrëveshje financiare mes policisë shqiptare dhe subjektit italian që ofron shërbimin e rrjetit TIMS. Ai është një program të dhënash, database i pasaportave të lëshuara nga policia, hyrje-daljeve në kufi dhe personave të shpallur në kërkim. Me anë të këtij programi, të paktën prej tri vitesh ushtron veprimtarinë e saj policia kufitare, e cila me një kalim të thjeshtë të pasaportës në skaner, regjistronte lëvizjen e personit, kohën dhe itinerarin, si dhe verifikonte nëse ai ishte i shpallur në kërkim.        e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›