“Vrau” emigrantin, qan në gjyq
Armand Bajrami
Shkëlqim Alliu mohon kategorikisht të jetë autor i vrasjes që ndodhi mbrëmjen e të martës tek ish-parku i autobusëve në Tiranë. Ai doli dje para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë, pasi u arrestua me akuzën e vrasjes së Shpëtim Xhelollarit. Argumentet e të arrestuarit nuk e bindën gjykatën, e cila vendosi lënien në burg për të pandehurin deri në fund të hetimeve. Në seancën e zhvilluar dje në gjykatë për Shkëlqim Alliun, gjykata vendosi masën “arrest me burg” për të dyshuarin si autor i vrasjes së emigrantit nga Korça, Shpëtim Xhenollari. Bëhet e ditur se gjatë gjithë seancës, me sy të përlotur, i pandehuri Alliu ka pohuar se nuk e ka kryer vrasjen. Sipas tij, në kohën kur ka ndodhur ekzekutimi i 38-vjeçarit nga Korcca, ai ka qenë në një lokal të zonës, në shoqërinë e personave të tjerë. “Mund ta vërtetoni duke pyetur ata persona me të cilët kam qenë në atë moment”, ka thënë i arrestuari në sallën e gjyqit. Ai ka pohuar se mbrëmjen kur ndodhi ngjarja është thirrur nga i plotfuqishmi i zonës të shkonte në vendin e vrasjes, për të bërë identifikimin e kufomës. Një ditë më vonë, ai është arrestuar si i dyshuari kryesor për ngjarjen. Shkëlqim Alliu nuk la pa përmendur edhe armën pistoletë që u gjet nga policia në banesën e tij. Sipas Alliut, pistoleta i përkiste vëllait të tij, por meqë ai ishte gjaknxehtë, ia mbante armën në shtëpinë e tij. Në vijim i arrestuari pohoi se armës në fjalë i mungonin disa pjesë, që e bëjnë atë jofunksionale. I arrestuari tregoi para gjykatës se konflikti për fëmijët nuk është zhvilluar mes tij dhe viktimës së vrasjes, por mes vëllait të tij dhe Shpëtim Xhelollarit. Sipas tij, bëhej fjalë për një mosmarrëveshje të nisur nga një grindje e fëmijëve, por sherri ishte shuar kohë më parë. Ngjarja për të cilën akuzohet Shkëlqim Alliu ndodhi mbrëmjen e 10 marsit në zonën pranë ish-parkut të autobusëve në Tiranë. Shpëtim Xhelollari ishte duke dalë nga një pikë bastesh në këtë zonë, kur mbi të u qëllua tri herë me armë zjarri. Sipas policisë, ekzekutori e kishte pritur viktimën të dilte dhe pasi ka qëlluar mbi të është larguar me një motor. Që në fillim të hetimeve, pista kryesore e ndjekur ishte një konflikt që viktima ka pasur me një banor tjetër të lagjes, për një sherr banal mes fëmijëve. Pak orë më vonë, policia arrestoi të dyshuarin kryesor të ngjarjes, Shkëlqim Alliu. Viktima kishte pak kohë që ishte kthyer nga Greqia ku qëndronte si emigrant me dokumente të rregullta. Pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Tiranës, Shkëlqim Alliu duhet të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve për këtë çështje.