E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratisje nga Lindja...

Në prag të formimit të qeverisë pas zgjedhjeve parlementare të 3 korrikut 2005, sekretari për marrëdhëniet me publikun i Partisë Demokratike në një intervistë dhënë të përditshmes Shekulli, deklaron: Ju shprehni dyshime se mund të gjendemi përballë një kabineti të bindurish pa asnjë vlerë politike dhe pa personalitet, të gjithë nën urdhrin e tij [Berishës]. Kjo më bën të qesh, sepse, në fakt, kjo është dëshira e kundërshtarëve tanë që vijojnë të na akuzojnë se kryeministri Berisha nuk di të menaxhojë sipas stilit perëndimor, por vetëm sipas stilit oriental. Mos u frikësoni, prisni dhe pak dhe do ta shihni që kundërshtarët tanë, kudo qofshin, këtu apo jashtë Shqipërie, nuk do ta kenë dot në dorë as këtë të fundit shpresë. Ne do të krijojmë të parën qeveri oksidentale sui generis në historinë e Shqipërisë...Zotëri, ne demokratët kemi dalë në pahun e kohës për ta bërë perëndimor shtetin shqiptar dhe do ta bëjmë, se në të kundërtën nuk do të mbahemi mend për asgjë të mirë (Ngjela, 2005; kursivet tanë).

Redaktorët e gazetës duke e konsideruar shprehjen e mësipërme si thelbin e intervistës, në krye të faqes së parë kishin vënë këtë titull: "Ngjela: Qeveria e re, me frymë oksidentale”. Kumti që Ngjela kërkon t'i përcjellë bashkëbiseduesit dhe publikut të lexuesve të gazetës mbështetet mbi një dikotomi midis "oksidentit"dhe "orientit”, apo "perëndimit"dhe "lindjes”, natyrshmëria e së cilës merret e mirëqenë. Lihet e nënkuptuar se "oksidenti”, apo perëndimi përfaqsondel diēka të mirë, të lartë, të dëshirueshme, përderisa Ngjela jep zotimin se jo vetëm qeveria do të qeverisë sipas stilit perëndimor, jo vetëm që ajo do të jetë qeveria e parë perëndimore sui generis, por edhe misioni i saj historik është bërja e shtetit perëndimor. Mosarritja e këtij qëllimi zhvlerëson të gjitha arritjet e tjera që mund të ketë qeveria ("në të kundërtën nuk do të mbahemi mend për asgjë të mirë”). Pra, Ngjela ka përmbledhur me një fjalë të vetme, shënuesin "oksident”, të gjithë programin e qeverisë. E kundërta e "oksidentit”, e keqja, e poshtra, e padëshirueshja është "orienti”. Argumenti i fundit i kundërshtarëve socialistë, me të cilin ata frikësojnë shqiptarët, është se Berisha do ta qeverisë vendin sipas mënyrës orientale. "Mos u frikësoni”, thotë Ngjela, sepse e kundërta do të dalë e vërtetë dhe kundërshtarëve brenda dhe jashtë vendit do t'u shkasë prej duarve edhe ky gur i fundit me të cilin po qëllojnë qeverinë e PD dhe të aleatëve të saj. Bërja e Shqipërisë perëndimore, prej një qeverie perëndimore, nënkupton lëvizjen e shtetit prej gjendjes së tanishme drejt një gjendjeje më të mirë në të ardhmen, drejt perëndimit. Një shtet perëndimor përfytyrohet si i zhvilluar, i rregullt, i lirë, i drejtë, i paqëm, demokrat, me mirëqenie, etj. Lëvizja drejt tij quhet përparim. Kurse gjendja që mohohet, lihet pas në kohë, tejkalohet, emërtohet "orient”. Me "orientin"shoqërohen kuptimet e prapambetjes, rrëmujës, tiranisë, korrupsionit, luftës, anarkisë, mjerimit, etj.
Rasti i intervistës së Ngjelës nuk është i veēuar, sepse që prej fillimeve të viteve 1990, ligjërimet politike, kulturore dhe shoqërore e paraqesin Shqipërinë dhe shqiptarët në një udhëtim të përfytyruar me vendmbërritje "perëndimin”, por që më saktë mund të përshkruhet si një ikje, një arratisje, një shpëtim nga makthi që quhet "lindje”. "Perëndimi"dhe "lindja”, artikulohen herë si dy botë të ndryshme, herë si dy fuqi misterioze që ndikojnë fatet e shqiptarëve, herë si dy epoka kohore, herë si sisteme politiko-shoqërore, herë si kultura, filozofi, fe, estetike, etikë apo mendësi të kundërta, duke formuar struktura binare. Ndërsa "perëndimi"gjithmonë paraqitet si parajsa për t'u synuar nga shqiptarët, "lindja"është ferri, prej zjarrit të së cilit duhet qëndruar sa më larg. Fjalët "perëndim"dhe "perëndimor"janë kthyer në fetishe semantike për gjithēka që pëlqehet, lakmohet, dëshirohet, nderohet, respektohet. Mungesat apo të kundërtat e tyre emërtohet si "lindore”, apo "orientale”. Realiteti krijohet i ndarë në dy kallëpe reduktuese neve na mbetet të vendosim ngjarjet, njerëzit, rrethanat, kujtimet, idetë, sendet në njërën nga dy kategoritë e paracaktuara: në njërën për t'i ruajtur e në tjetrën për t'i grumbulluar para groposjes, braktisjes, harresës. Nuk bëhet fjalë për shuarje, mjegullim a dobësim të kufirit midis dy pjesëve, Shqipëria dhe shqiptarët thjesht duhet të kalojmë nga njëra pjesë në tjetrën që përparimi të jetë thelbësor dhe i qëndrueshëm. Pra, të lihet pas lindja e të shkohet në perëndim.
Ligjërimi perëndim-lindje nuk është një dukuri vetëm e periudhës së paskomunizmit, në kuadër të dëshirës për t'u integruar në Bashkimin Evropian dhe NATO. Në këtë libër do të tregojmë sesi "arratisja nga lindja"është pjesë përbërëse e përfytyrimeve të elitave shqiptare mbi kombin shqiptar dhe modernizimin e tij, që nga Rilindja Kombëtare e këndej. "Arratisja nga lindja"nuk është një qasje plotësisht origjinale për të kuptuar realitetin shqiptar dhe për të udhëzuar veprimin shoqëror. Kundërshtia binare perëndim-lindje, e quajtur "orientalizëm”, është e importuar prej ligjërimeve evropiane mbi "orientin”. Hulumtimi i orientalizmit shqiptar, veēanërisht e shfaqjeve të tij bashkëkohore, është synimi i këtij libri. Kreu i parë trajton kuptimet e orientalizmit dhe ofron kuadrin teorik për shtjellimet e mëtejshme, prandaj një lexim sado i përciptë i këtij kreu mendojmë se është i nevojshëm për ndjekur argumentin e librit. Kretë në vijim analizojnë shfaqje të orientalizmit shqiptar në periudha të historisë moderne: kreu i dytë përqendrohet te Rilindja Kombëtare, kreu i tretë dhe i katërt te vitet 1920-1930, kreu i pestë te vitet 1960-1980. Pjesët e fundit të secilit prej krerëve nga i dyti te i pesti paraqesin pikëtakime të orientalizmit të periudhës në fjalë me atë të periudhës bashkëkohore. Orientalizmi bashkëkohor shtjellohet në kreun e gjashtë. Pas tij, në kreu i fundit përmbledh argumentat e librit dhe paraqet argumentat për një kapërcim të orientalizmit shqiptar.

Marrë nga libri "Arratisje nga Lindja: Orientalizmi shqiptar nga Naimi te Kadareja”, Autori: Sulstarova, Enis. Shtëpia Botuese "Dudaj"

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›