E Diel, 1 Nëntor 2026

Roma, Kristianizmi dhe shteti komb

Roma nisi të dobësohej në momentet që këputi lidhjet e saj me botën shpirtërore / metafizike, kur u sekularizua plotësisht (një tregues sekondar i sekularizimit të Romës është ekzagjerimi në të ngrënë e të pirë si dhe perversiteti seksual) dhe kur u mundua ta mbajë popullin që qeveriste vetëm me anë të dhunës.
E vetmja gjë që dëshironte Roma ishte nënshtrimi absolut. Në kohën kur Kristianizmi nisi të lulëzonte në territorin Romak, parimi i tyre i dëshiruar ishte "adhurim ndaj Zotit, bindje ndaj Çezarit". Ndërsa Roma kishte parimin "adhurimi dhe bindja ndaj Çezarit", duke torturuar besimtarët të cilët nuk pranonin të adhuronin Çezarin.Mbledhja e fuqisë në duart dhunës, përdhosja e vlerave dhe shtimi i dhunës mbi besimin, bëri që të gjithë viktimat që s'ndodheshin në qendër, të përjashtuarit dhe të shtypurit, të mblidheshin në rreshtin e të torturuarve. Edhe në Romë e njëjta gjë ndodhi. Çdo ditë e më shumë Kristianizmi po zgjerohej. Jo vetëm që zmadhohej, por në të njëjtën kohë po mblidhte një energji të jashtëzakonshme. Transferimi që i bëri Kostandini në çerekun e parë të shek. IV perandorisë që po i shteronin çdo ditë e më shumë energjitë dhe mbledhja e Kuvendit në Iznik të Turqisë, nuk ishte aspak rastësore. Kostandini ishe pagan, nuk besonte në Kristianizëm; por e kishte dalluar mjaft mirë fuqinë e kësaj feje, misionin e saj unifikues dhe aftësinë e saj për të mbledhur rreth vetes një energji të jashtëzakonshme. Në Kuvendin që zgjati nga 19 Qershori deri në 25 Gusht ishin mbledhur 300 priftërinjtë më të zgjedhur nga të gjitha anët. Perandori i ndoqi me vëmendje të gjitha diskutimet. Vçanërisht diskutimin që hapi aq debate të Ariusit nuk e la t'i shpëtonte as edhe detaji më i vogël. Ithtarët e Ariusit thonin se "Zoti është një, Jezusi nuk është hyjni, ai është një njeri dhe një profet."Të tjerët mbronin doktrinën e "trinitetit”. Ashtu siç është formuluar edhe në Betimin e Athanasias, "Tre në unitet. Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Të tre janë Zot."Së fundmi, Kostandini me vetëdije të plotë dhe duke qenë në dijeni të asaj që po bënte, mbajti anën e atyre që mbronin doktrinën e trinitetit dhe duke siguruar votimin e priftërinjve në këtë drejtim, e bëri trinintetin doktrinë zyrtare të shtetit. Ndonjëherë kthehem pas dhe pyes veten: Po sikur zjarri të digjte profetin Ibrahim, sikur ujët përmbytës të Detit të Kuq të mbytnin profetin Musa, si do të rridhnin ngjarjet? Këtu gjithmonë më vjen ndërmend kjo pyetje: Ç'do të ndodhte sikur Kostandini të mos zgjidhte trinitetin, por doktrinën e Ariusit? Zoti e di!.. Bizanti, duke zgjedhur Kristianizmin me bazë doktrinën e trinitetit si "fe zyrtare”, arriti të zgjaste jetën e perandorisë. Më energjinë që mori nga kooperimi me Kristianizmin, perandoria arriti të jetonte deri në 1453. Ndërkohë që Roma Perëndimore nuk ishte kaq tolerante. Kristianët atje mundoheshin të jetonin nën shtypje të vazhdueshme. Roma Perëndimore e cila i kishte këputur lidhjet me principet shpirtërore dhe që nuk i njihte të drejtën e besimit Kristianëve u shemb në vitin 476. Në momentet e fundit para se të shembej si perandori, gjeneralët Romakë u patën kërkuar ndihmë priftërinjve Katolikë. Priftërinjtë nuk lëvizën fare nga vendi duke vështruar me kënaqësi rënien e Romës. Nuk është e vështirë të kuptohet pse Kristianët nuk vepruan për të parandaluar rënien e Romës. Ata ishin dhunuar shumë dhe tani do të arrinin të zinin vendin Romës. Dhe vërtet ashtu ndodhi. "Kardinal"nga gradë e oficerit që ishte në Romë, u bë gradë e lartë e priftërinjve në hierarkinë e Kishës. Kisha Perëndimore e imitoi Romën pa i bërë asnjë ndryshim. E kopjoi ashtu siç ishte të drejtën Romake me përjashtim të dy shtesave – ndalimi i divorcit dhe i kamatës. Grekët kishin menduar, Romakët kishin zbatuar. Filozofia dhe mendimi në Romë ishin mjaft të prapambetur. Roma ishte vetëm qeverisje dhe ligje. Vçse ligjet duke qenë se rridhnin prej rregullash pa logjikë, kishin marrë një formë të pashpirt dhe dobësia më e madhe ishte se nuk rridhte prej një metode. Metodologjia ligjore në histori i përket vetëm jurisprudencës Islame.
Kisha Katolike mori si shembull organizimi shtetin Romak, i cili ia hidhte pasuesit e saj luanëve për t'i shqyer dhe e imitoi gjithashtu atë edhe në organizimin hierarkik. Shteti komb modern, i cili e bëri të detyrueshëm dhe zyrtar laicizmin pas revolucionit Francez, për veten e saj mori si shembull kundërshtarin e vet, Kishën Katolike Romake, duke e përshkruar veten sipas Kishës. Roma dhunoi Kristianët; Kisha laikët; ndërsa laikët dhunuan të gjithë ata që u njësuan nën "formatin bashkatdhetar"dhe besimtarët e feve në vçanti. Ju rrëfeva një tregim të gjatë. Qëllimi im ishte të tregoja faktorët kryesorë pas kuintave të shembjes së paradigmës moderne.

Përgatiti Klodian Shehi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›