E Diel, 1 Nëntor 2026

Crans Montana,``sfilata shqiptare`` para biznesit ndërkombëtar

Këtë javë për herë të parë në Shqipëri zhvilloi punimet Forumi i Crans Montanës, një nga platformat më prestigjoze të debatit dhe diskutimit ekonomik dhe globalizimit. Falë miqësisë të Kryeministrit Berisha me drejtuesit e këtij Forumi, Tirana pati fatin të presë për tre ditë me rradhë një sërë personalitetesh të rëndësishme nga bota e biznesit dhe politikës. Një vend i vogël si Shqipëria, aq më tepër një kryeqytet akoma në kërkim të identitetit mes pluhurit dhe larisë së ngjyrave të pallateve, nuk e ka shansin shpesh të jetë në qëndër të vëmendjes së qarqeve të larta botërore. Kjo jo për faktin se nuk e meritojmë një, por sepse në një rajon ku akoma identifikohet nga të huajt me pamjet e luftërave të përgjakshme, rrallë kujt i shkon në mendje të vijë dhe të bëjë biznes duke investuar shuma të mëdha. Një fakt i tillë u vu re edhe në fjalën e drejtuesit të Crans Montanës , të famshmit Jean Paul Carteron, i cili dhe pse me një zë të ulët e përmendi se përfaqësuesit e kompanive të mëdha evropiane ngurruan ti përgjigjeshin pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në Forumin që do të zhvillohej në Tiranë. Një pjesë e mirë e tyre u shprehën se nuk ju interesonte të investonin në Shqipëri ndërsa të tjera hodhën dyshime mbi stabilitetin dhe sigurinë që ofron vendi për investitorët e huaj. Në fakt nuk është thënë kot, "më mirë të dalë syri sesa nami". Kjo thënie merr shumë kuptim pikërisht në pozitën që ndodhet sot Shqipëria, në sy të ndërkombëtarve. E megjithatë pati nga ata që besonin në potencialin dhe mundësinë që ofron tregu shqiptar, duke parë dhe hapësirën e tij jo vetëm brenda kufijve shtetërorë. Duhet thënë se jetojmë në një rajon që po kërkon të ringrihet me shpejtësi dhe vendet e tij, kërkojnë të kapin trenin perëndimor pa humbur kohë. Në kushte të tilla konkurenca bëhet dhe më e pamëshirshme. Turqia, Kroacia por jo më pak dhe fqinji jonë Maqedonia janë në të njëjtën garë me ne për tu mbushur mendjen pasanikëve të Evropës se ja vlen të investosh në secilin vend. Sigurisht që në një konkurencë të tillë, është e rëndësihme të ofrosh më të mirën dhe me kushte sa më të thjeshta. Por kjo nuk mjafton. Sot lobingjet bëjnë më shumë punë se çdo përpjekje zyrtare për të nxitur zhvillime të rëndësishme ekonomike dhe politike. Ne shqiptarët në fakt nuk e kemi patur shumë për traditë këtë mënyrë të të bërit të punëve. Sigurisht që kemi humbur jo pak nga kjo. Duke e parë në këtë kontekst, ardhja në Tiranë e 130 të ftuarve nga fusha e biznesit dhe politikës, nga i gjithë rajoni por edhe më gjërë synonte pikërisht të bënte këtë lobbing, të munguar. Nuk është e rëndësishme të kesh por duhet të dish edhe ta shesësh atë që zotëron. Për 8 vjet me rradhë socialistët në pushtet nuk arritën të ngrenë një traditë të organizimeve të tila që do ta bënin vendin të njohur në arenën ndërkombëtare. Kjo edhe për arsye të kapriçove të shfrenuara të kryetarit të tyre. Një e tillë ndodhi me drejtuesit e Crans Montanës, të cilët hynë në konflikt me ish kryeministrin e Shqipërisë për një shumë parash. Një ndodhi shumë e rëndomtë që i prishi imazhin shqipërisë. Në pamje të parë, duket se demokratët, kanë nzjerrë të paktën disa mësime nga gabimet e kundërshtarëve të tyre. Më e rëndësihmja është mënyra e të sjellurit me ata të cilët ndikojnë në bërjen e politikave ekonomike dhe vendosjen e balancave në politikën e kontinetit. Ministrat e kabinetit,”Berisha”, të porositur mirë nga shefi I tyre, " sfiluan"me premtimet e tyre për të joshur investitorët e huaj dhe duhet thënë se këtë gjë e bënë mjaft mirë. Ajo që i mungoi forumit të Crans Montanës, ishte vëmendja e mediave tona. Të mësuara vetëm me sherret banale të poltikanëve tanë, shumë prej këtyre mediave nuk e konsideruan të rëndësishme këtë ngjarje duke mos i dhënë hapësirën që duhet në programacionin e tyre. Megjithatë tani mbetet të shpresojmë që ti kemi prishur mendjen ndonjë investitori të madh dhe ta kemi bindur me mundësitë që ofruam për të qënë i pranishëm në ekonominë shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›