E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Arrest me burg” mjekut Kastriot Dautaj

Autori i Lajmit: red.
Gjykata e Tiranës ka vendosur të lërë në burg urologun Kastriot Dautaj, pas akuzës për korrupsion të ngritur ndaj tij një javë më parë. Burime nga gjykata bëjnë të ditur se avokati i mjekut ka kërkuar që të jepet një masë tjetër më e butë kundrejt garancisë pasurore, por gjykata s e ka pranuar dhe e ka lënë në burg. Vetë Dautaj ka thënë se nuk ka marrë lekë ndonjëherë nga pacientët e tij. Mjeku ka zgjedhur të mbrohet me pretendimin se nuk kishte dijeni për lekët që kishte në xhep në momentin e arrestimit. Ndërsa për llogaritë bankare, urologu ka pretenduar se janë krijuar nga kursimet e tij dhe të bashkëshortes gjatë punës shumëvjeçare. Gjykata ka lënë
të lirë personin që është kapur duke i dhënë lekë mjekut, Ibrahim Haka. Prokuroria e Tiranës ka nisur disa ditë më parë edhe verifikimin e pronave dhe llogarive bankare, që figurojnë të regjistruara me emrin e doktorit urolog Kastriot Dautaj. Ndërkohë që prokuroria u ka dërguar një urdhër bankave, përmes të cilit bllokohen të gjitha llogaritë e mjekut dhe rredhimisht kapitali i tij. Në Prokurorinë e Tiranës janë depozituar katër kallëzime nga shtetas të ndryshëm, të cilët akuzojnë mjekun Dautaj për mitëmarrje gjatë kryerjes së operacioneve. Prokuroria, ka filluar hetimet mbi këto kallëzime. Ndërkohë që në vitin 2005, ndaj Kastriot Dautajt ka pasur një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës nga shtetasja Zyra Ago, e cila denoncoi doktorin për heqjen e veshkës pa pëlqimin e saj dhe dyshimin se ia ka shitur atë. Kjo dosje tashmë është pushuar nga Prokuroria, pasi nuk është provuar denoncimi. Mjeku urolog Kastriot Dautaj dhe Ibrahim Haka u arrestuan pak ditë më parë në ambientet e spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë.

Ky lajm është publikuar: 11/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›