Arrest me burg, për 7 trafikantët e kanabisit
Arrest me burg ka qenë masa e sigurisë që ka vendosur Gjykata e Shkodrës për shtatë të dyshuarit e ndaluar në kushtet e flagrancës më 2 mars në Kryebushat teksa transportonin në një autoambulance 160 kg kanabis sativa.
I pari që është njohur me vendimin e caktimit të masës së sigurisë ka qenë punonjësi i FNSH-së Kujtim Çuni, i cili akuzohej për prodhim-shitje të narkotikeve, trafik të bimëve narkotike në bashkëpunim dhe shpërdorim të detyrës. Arrest me burg pa afat u është dhënë dhe gjashtë të ndaluarve të tjerë të cilët kanë rënë në grackën e policisë gjyqësore e cila kishte infiltruar dy punonjës të saj për të bërë porosinë e drogës. Të ndaluarit gjatë fazës se hetimeve paraprake nga policia gjyqësore kanë qenë në përgjim ambiental dhe telefonik për të cilat ekzistonin dhe vendimet e prokurorisë dhe gjykatës.
Organi i akuzës është bazuar në këto prova materiale krahas transkripteve të bisedave telefonike të personave, sasisë së kanabisit të sekuestruar në momentin e ndalimit si dhe të tjera provave të gjetura gjatë kontrollit të banesave të të dyshuarve mes te cilave dy armë automatike model 56 dhe një arme shotgun të gjetura në banesën e punonjësit të FNSH-së. Prokuroria e përfaqësuar nga Fatmir Lushaj ka kërkuar arrest në burg.
Të ndaluarit kanë kërkuar mbrojtje nga më shume se një avokat dhe pretendimet e mbrojtjes kanë qenë për vlerësim jo të ligjshëm të arrestit në kushtet e flagrancës veçanërisht për personat që nuk kanë qenë në autoambulancë. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Hasan Selimi ka hedhur poshtë pretendimet e mbrojtjes duke vlerësuar të ligjshëm arrestin në flagrance dhe caktuar masë sigurie arrest me burg për shtetasit Kujtim Çuni, Françesk Çuni, Tish Pali, Tom Zhuri, Zef Paloka, Anton Lumi dhe Gjon Bregu. /Anila Dushi/