E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, Rama: Tani mbeten punët e qeverisë

Ai tha se opozita e dha kontributin e vet për miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament dhe se detyrat e mbetura i përkasin qeverisë.

“Me votimin në kohën e duhur të Kodit Penal ne kryem detyrën tonë, por statusi nuk vjen nëse nuk plotësohen rekomandimet që kanë të bëjnë me qeverisjen. Loja e fajësimit të opozitës është e fundit që i ka ngelur Berishës, për të fshehur kokën si struci, ndërkohë që kush ka sy për të parë e vesh për të dëgjuar kupton lehtë se shumica e detyrave të parealizuara kanë të bëjnë me qeverinë”, tha Rama.

Kreu socialist shtoi se sfida e radhës për opozitën mbetet edhe miratimi i ligjit për Gjykatën Administrative.  “Sfida e radhës është ligji për Gjykatën Administrative, kemi përgatitur seriozisht që nga nëntori qëndrimin e PS lidhur me atë se si duhet që ligji për të, të jetë në standardet e duhura dhe ajo të kthehet në standardin që i duhet shtetit”, u shpreh ai.

 Rama tha se për këtë rast do të organizohet edhe një tryezë publike me të gjithë aktorët shoqërorë dhe grupe interesi që kanë dëshirë dhe nevojë të japin kontributin e tyre. “Ky ligj të jetë i të gjithëve dhe për të gjithë, jo një tjetër arnë në një proces ku është e pamundur t’i hedhin hi syve KE, e pamundur që ne të bëhemi pjesë në rast se procesi nuk është serioz dhe cilësor”, vijoi. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-03-06 12:49
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›