Fier, jep dorëheqjen prefekti Hasa

Prefektura e Fierit
Prefekti i Fierit, Bujar Hasa ka njoftuar dorëheqjen. Këtë fakt ai e ka deklaruar në një konferencë për shtyp. Hasa, u shpreh se dorëheqja ishte e parevokueshme dhe se ajo ishte parashikuar më parë dhe për këtë ai ka njoftuar kryeministrin. Sipas Hasës dorëheqja është bërë për arsye personale. Ai ka falenderuar kryeministrin Berisha, i cili pas kësaj kërkese për dorëheqje ka firmosur largimin e tij nga kjo detyrë.
I pyetur ne se ishte në dijeni se kush do ta zinte postin e tij, ai është përgjigjur se unë thjesht komunikoj vendimin tim dhe nuk merrem me tymnaja. Ai ka falenderuar me këtë rast për bashkëpunimin me institucionet e pushteti vendor. Ndërkohë burime pranë kësaj prefekture janë shprehur se vendin e ish-prefektit Hasa do ta zërë Albert Bitri edhe ky i forcës së LSI-së.

Bujar Hasa
Në fund të vitit 2011, Hasa u denoncua nga opozita për shkelje të ligjit për pushtetin vendor. Nuk dihet nëse dorëheqja ka të bëjë me këtë fakt por gjithashtu pak ditë më parë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier përfundimisht pas disa seancave gjyqësore vendosi që mazhoranca e Këshillit Bashkiak të jetë e majtë. Kështu, zyrtarisht Donika Jorgaqi (përfaqësuese e PS-së) është Kryetare e Këshillit të Bashkisë dhe përfaqësuesit e këtij Këshilli në Qarkun Fier janë ata që ishin zgjedhur më parë në mbledhjen e ligjshme të 21 korrikut duke cilësuar të pavlefshme mbledhjen ku PD rrëzoi Jorgaqin dhe zgjodhi një përfaqësues të saj në krye të këshillit. /K.Thana/