“Arrest me burg” për ish-shefin e komisariatit 1 në Tiranë

Gjykata e Tiranës i komunikoi sot masën e sigurisë "Arrest me burg", ish shefit të komisariatit 1 në Tiranë, Fatos Goxhaj. Prokuroria e akuzon Goxhajn për korrupsion aktiv dhe pasiv, pasi ish-shefi i krimeve, ka marrë 3 000 euro, kundrejt premtimit se nuk do të bënte kallëzim penal ndaj një personi, i cili në gjendje të dehur kishte qëlluar në ajër. Gjithë biseda është përgjuar dhe ka shërbyer si provë në gjyq.
Por avokatët e Goxhajt e kanë hedhur poshtë pretendimin e prokurorisë dhe kërkuan lirimin e Goxhaj duke deklaruar se ai nuk paraqet rrezik për t`u larguar nga Shqipëria, për shkak të situatës familjare.
Avokatët e Goxhajt, i konsideruan të paligjshme përgjimet dhe thanë se do të apelojnë masën e sigurisë. Ish- shefi i krimeve në komisariatin numër 1 në kryeqytet, Fatos Goxhaj u vu në pranga 3 ditë më parë, pas një hetimi dymujor nga SHKB dhe task-forca në prokurorinë e Tiranës, ndërsa pak ditë para arrestimit i ishte komunikuar transferimi për në komisariatin e Përmetit.