Arrest me burg per vrasesin e arketares
Gjykata e Tiranës caktoi masën e arrestit “burg pa afat” për autorin e një serie grabitjesh, në të cilat ka patur 2 të vrarë. Viktor Gushi, ka pranuar i qetë autorësinë e grabitjeve, ndërsa ka shprehur pendesë para gjykatës.
Gjyqtari,a Frida Osmani, e ka konsideruar të ligjshëm ndalimin e Gushit, duke mos i hequr asnjë presje në vendimin e saj, kërkesës së prokurores, Lindita Ziguri.
Edhe avokatja, Vjollca Pustina, nuk ka kundërshtuar faktet e prokuororisë dhe vendimin e gjykatëses, pasi vetë klienti i saj i pranonte akuzat.
Viktor Gushi, prej 4 vjetësh me grabitjet e dhunshme ishte kthyer në tmerrin e filialeve bankare në Tiranë dhe Fier, si edhe të argjendarive dhe dyqaneve të këmbimeve valutore.
Studionte për gati 1 muaj të gjitha lëvizjet dhe detajet e filialeve bankare që grabiste, madje dhe vendosjen e kamerave në rrugët nga do realizonte ikjen.
Pamja e Gushit u zbulua nga një kamer sigurie teksa largohej nga tentativa e grabitjes së të martës, ku mbeti i plagosur roja, Skënder Elmazi dhe u vra arkëtarja, Lonora Kaloçi.
Gushi u arrestua 48 orë më pas në rrugën “Don Bosko”, në një hetim ku policinë e Tiranës e ndihmuan edhe oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Brendshme.
Gushi pranoi se kishte qëlluar të parin rojen pasi mendonte se ai ishte i armatosur, ndërsa arkëtaren, pasi ajo e vonoi dhe ia hodhi çelësat e arkës dhe se në këto kushte nuk e realizonte dot grabitjen brenda 3 minutave të programuara.
Mes 15 ngjarjeve të tjera Gushi ka pranuar edhe vrasjen e argjendarit, Rrapo Sinanaj, tetorin e vitit të kaluar.