E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutimi i Kokes per hakmarrje

Një ditë pas vrasjes me armë zjarri automatik të 33 vjeçarit, Gentian Koka, policia e qytetit bregdetar ka urdhëruar shoqërimin e 8 personave, që kanë dijeni për ngjarjen me qëllim dhënien e detajeve për zbardhjen e këtij krimi, ndërsa ka ngritur dhe pistat mbi motivin e saj.
Vrasja e 33 vjeçarit, sipas grupit hetimor  mund të ketë lidhje me të shkuarën e tij, për shkak se viktima ishte person i njohur në botën e krimit. Kjo është edhe një nga pistat e grupit hetimor, i cili dyshon se ngjarja e rëndë mund të ketë ardhur si pasojë e ndonjë hakmarrjeje të mundshme. 
Janë të paktën katër  episode në dosjen e Prokurorisë së rrethit Durrës, ku emri i Gentian Kokës lidhet me akuzat e armëbajtjes pa leje, konflikteve, prishje  të rendit e qetësisë publike dhe trafikimit të lëndeve narkotike, vepra për të cilat ai ka kryer katër vjet burg.  
Pikërisht, duke hetuar mbi kete të shkuar, policia ka mundur të përcaktojë edhe një pistë konkrete që lidh 33 vjecarin  me aktivitetin e tij, atë të vrasjes për hakmarrje nga persona ende te paidentifikuar. Hetimin tek kjo pistë  grupi hetimor e mbështet edhe  në mënyrën e ekzekutimit, orën dhe vendin në të cilën ka ndodhur ngjarja. 
Ndërkaq, policia dyshon se pjesëmarrës në krim kanë qenë më shumë se dy persona, të cilët mendohet t’i kene ngritur pritë viktimës gjatë kohës që ky i fundit ka dalë nga një lokal, për të shkuar në drejtim të banesës së tij.
Sipas policisë, viktima është qëlluar nga një distancë e afërt prej rreth 50 metrash, në një kohë që autorët e ngjarjes ishin strehuar në një banesë në ndërtim e sipër. Ngjarja e rëndë u regjistrua pak minuta para mesnatës të së premtes në lagjen “Baromet” në Sallmone, komuna Xhafzotaj, Durrës. Në vendin e ngjarjes policia shprehet se ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 5 gëzhoja model 56, kalibër 7,62 mm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›