E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrest në burg deri në fund të hetimeve për Ben Qimen

 

Gjykata ndryshon masën e sigurisë për Arben Isufajn. Nga arrest në burg me afat deri në 45 ditë vendos arrest me burg pa afat

TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet vendosi ndryshimin e masës së sigurisë për të pandehurin Arben Isufaj, i njohur ndryshe me nofkën “Ben Qimja”. Më parë ishte dhënë “arrest në burg” me afat 45 ditor, ndërsa dje “arrest me burg” pa afat deri në përfundim të hetimeve. Paraditen e djeshme, me kërkesë të prokurorit Ervin Karanxha, togat e zeza të kryesuara nga gjyqtarja e gatshme Alkelina Gazidede, morën në shqyrtim kërkesën e akuzës për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurit Isufaj, i cili u arrestua këtu e 45 ditë më parë me dyshimet se është bashkautor i vrasjes së shtetasit Pirro Koçiu në gusht të vitit 2002. Kështu, gjatë seancës gjyqësore, vetë i pandehuri nuk ka preferuar të paraqitet duke i dhënë të drejtën mbrojtësit të tij ligjor të shpreh kontestimet për provat dhe akuzën e ngritur ndaj tij. Fillimisht, avokati i të pandehurit paraqiti para kryetarit të kësaj gjykate, kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Gazidede për shqyrtiminkësaj kërkese pasi ishte shprehur një herë në lidhje me këtë të pandehur. Por, kjo kërkesë nuk u pranua edhe pse u debatua gjatë. Njëkohësisht, avokati dy ditë më parë kishte deponuar pranë prokurorisë së Tiranës kërkesën për përjashtimin e prokurorit Karanxha nga hetimi i çështjes, kërkesë kjo që ishte rrëzuar edhe pse ndaj tij ekziston një kallëzim penal nga vetë i pandehuri dhe mbrojtësi i tij ligjor për falsifikim të dokumenteve. Edhe përkundër këtyre argumenteve të mbrojtjes, seanca vazhdoi nga gjyqtarja Gazidede e cila pasi dëgjoi pretendimet e akuzës dhe mbrojtjes vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke i zëvendësuar masën e sigurisë nga “arresti me burg” me afat 45 ditë në “burg pa afat” deri në përfundim të hetimeve. Provakryesore e paraqitur nga akuza dhe që shërbeu për ndryshimin e kësaj mase sigurie, ishte akt-ekspertimi i ardhur nga Londra ku ishin krahasuar gjurmët papilare të gishtit të madh të të pandehurit Isufaj me gjurmën e gjetur në krehrin e pistoletës së gjetur në vendin e vrasjes së Pirro Koçiut. Sipas, burimeve nga prokuroria mësohet se akt-ekspertimi i dorëzuar dje para gjykatës është akt-ekspertimi i tretë i ardhur nga Londra me anë të letër-porosisë, pasi dy akt-ekspertimet të ardhura para tij janë shpallur të pavlefshëm pasi nuk korrespondon data e dërgimit me datën e kryerjes së akt-ekspertimit. Ka qenë ky deklarim i prokurorisë, që ka shtyrë avokatin mbrojtës dhe vetë të pandehurin Isufaj t’i drejtohen prokurorisë me një kallëzim penal ndaj dy prokurorëve që kanë përfaqësuar çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë tre ditë pas arrestimit dhe prokurores së Gjykatës së Apelit që ka mbrojtur këtë akt-ekspertim 15 ditë pas arrestimit të tij. Pritet, që masa e dhënë gjatë ditës së djeshme të ankimohet në Gjykatën e Apelit, pasi sipas mbrojtjes, këto akt-ekspertime janë të njëjta dhe vetëm datat i kanë të ndryshuara, duke hedhur dyshimet se janë falsifikuar nga organet e hetimit dhe të policisë. Ndërkohë, 44 ditë më parë, ishte kjo gjykata që me kërkesë të prokurorisë i vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 45 ditë dhe më pas ky vendim u la në fuqi në Gjykatën e Apelit edhe pse Gjykatae Lartë kishte rrëzuar si të pa bazuar në ligj mënyrën e marrjes dhe bërjes së këtij akt-ekspertimi të gjurmëve të gishtave. I pandehuri Ben Qimja akuzohet se në bashkëpunim me Fatlum Kadian ka kryer vrasjen e shtetasit Pirro Koçiu për hakmarrje, pasi kohë më parë, ky i fundit i kishte vrarë babain të pandehurit. Ndaj të pandehurit Fatlum Kadia po vazhdon procesi gjyqësor, ku ndodhet në fazën e konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes, pasi prokurori gjatë leximit të pretencës ka kërkuar nga gjykata dënimin e tij me 21 vjet burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›