Krenar Ahmeti dëshmon në prokurori për rrëmbimin e avionit
Drejtori i Qarkullimit Rrugor të Tiranës ka qenë pasagjer kur turku Ekinçi mori peng avionin e “Turkish Airlines”
TIRANË- Drejtori i Qarkullimit Rrugor të kryeqytetit, Krenar Ahmeti, merret në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në lidhje me pengmarrjen e aeroplanit të linjës Tiranë – Stamboll më 3 tetor 2006. Shkak, për thirrjen e tij pranë organit të akuzës ka qenë prezenca në bordin e avionit të kompanisë “Turkish Airlines”, në momentin e marrjes peng nga shtetasi turk Hakan Ekinçi pasditen e tre tetorit rreth orës 14:58 minuta, ku piloti i aeroplanit u detyrua të ulet në Brindizi duke ndërruar destinacionin.. Kështu, rreth orës 13:30 minuta, kryepolici i rrugores së kryeqytetit i veshur civil dhe me makinë zyrtare hyri në derën kryesore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku ishte thirrur nga prokurori i çështjes Eugen Beçi. Sipas burimeve zyrtare nga prokuroria, mësohet se marrja në pyetje e tij është bërë me cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, ku mendohet se ka shpjeguar veprimet e pengmarrësit në momentin e rrëmbimit, por pa tentuar të bëjë super heroin në këtë ngjarje të pazakontë. Mësohet se prej disa muajsh prokurori i çështjes, ka vazhduar hetimet dhe në analizën e fundit të kryer me drejtuesit e këtij institucioni është arritur në përfundim se i pandehuri Hakan Ekinçi që ndodhet në institucionin e vuajtjes së dënimit në Itali ka kryer në Shqipëri veprën penale të “rrëmbimit të avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera” dhe “akteve terroriste”. Kryerja e kësaj vepre penale, sipas prokurorisë, është bërë nga i pandehuri pasi në bordin e avionit që ishte nisur në drejtim të Stambollit ishin rreth 113 persona që ishin shtetas shqiptarë. Gjithashtu në këtë përfundim është arritur, pas marrjes së dëshmive të rreth 100 pasagjerëve, të cilët kanë treguar tmerrin e përjetuar në bordin e avionit që ishte marrë peng nga 28- vjeçari Hakan Ekinçi. Ndërkohë, me nxjerrjen e këtyre konkluzioneve, Gjykata e Krimeve të Rënda, konkretisht gjyqtari Klodian Kurushi, me kërkesë të institucionit të akuzës ka vendosur caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” në mungesë ndaj të pandehurit turk Hakan Ekinçi që ndodhet në qelitë e burgut të Brindizit. Mësohet se me caktimin e masës së sigurisë, organi i Prokurorisë së Përgjithshme ka filluar procedurat e kërkesës për ekstradimin e tij për në Shqipëri për tu përballur me drejtësinë. Sipas këtyre burimeve pranë organit të akuzës, mësohet se ndaj të pandehurit Hakan Ekinçi janë mbledhur një sërë provash dhe dëshmish, të jetës së tij disa mujore në Shqipëri, si tabulatet telefonike që ka kryer nga Shqipëria në drejtim të Turqisë, disa transferta parash, faturat e hoteleve ku ka qëndruar ai dhe dëshmitë e disa “shokëve” të tij me të cilët ka qëndruar në Qendrën e Azil Kërkuesve në Tiranë dhe kontrolli i postës elektronike. Ku ka rezultuar se në drejtim të adresës zyrtare të Vatikanit dhe Papa Ratzingerit ka dërguar një numër jo të vogël letrash elektronike, duke i kërkuar ndihmë për mos kthimin e tij në Turqi. Sipas akuzës, avioni i linjës “Turkish Airlines”, një “Boeing 737-400” me 113-persona në bord, mes tyre dhe një deputet shqiptar i Partisë Socialistë, ndryshoi itinerarin e paracaktuar Rinas-Stamboll duke u ulur jashtë planifikimit në Brindizi të Italisë nga pengmarrësi Hakan Ekinçi. Dy orë pas uljes së avionit në pistën e Brindizit, 28-vjeçari turk Ekinçi vendosi t’i lërë të gjithë pasagjerët të lirë, pa dëmtuar asnjë prej tyre.