"Liri Berisha na premtoi se do të na ndihmonte"
TIRANË- “Nuk duam dëmshpërblim e as hakmarrje për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, duam vetëm trupin ose eshtrat e tij”. Kjo ishte kërkesa e vetme e Sevidje Hoxhës, bashkëshortes së kosovarit të zhdukur këtu e 13 vite më parë, e cila me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda doli para togave të zeza. Ajo dëshmoi për të dhënat që dinte dhe kishte mësuar në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e bashkëshortit të saj. E veshur me rroba ngjyrë qumështi dhe pak mw e shwndoshw se nw foton qw ishim ishim mësuar ta shinim, Sevdija rrëfeu me lot në sy dhe hera herës duke ndërprerë rrëfimin peripecitë e familjes së saj në lidhje me kërkimet që kanë kryer për gjetjen e bashkëshortit të saj. “Ka qenë mëngjesi i 21 tetorit të 1995 kur për herë të fundit e kam parë shokun (Remzi Hoxhën), teksa është nisur për ta dërguar Ardianin (djalin) për në shkollë dhe nuk e kam parë më edhe pasi kanë kaluar 13 vite”-tha Sevdija duke përmendur emrat e personave më të cilët është takuar dhe vendet se ku e ka kërkuar bashkëshortin e saj të zhdukur pa gjurmë. “Më kanë thënë punëtorët e firmës sw Remziu se ai u morr nga punonjës shtetërore më 21 tetor, ditë e shtunë rreth orës 13:30 në ambientet e firmës “Albatros” në rrugën ‘Siri Kodra” në Tiranë. Që nga ajo ditë, për të më nuk dimë asgjë. Nuk kemi lënë vend për ta kërkuar, duke shkruar letra e telegrame në të gjithë institucionet shtetërore, që nga Presidenti, Avokati Popullit, Kryetari i Parlamentit, SHIK-u, Prokurori e shumë vende dhe nuk kemi marr një përgjigje se ku ndodhet. Vetëm një herë, këshilltarët e ish-Presidentit Sali Berisha na kanë thënë se “Remzi Hoxhën kërkojeni te SHIK-u i Bashkim Gazidedës. Kemi shkuar te Gazidede për ta takuar, nuk na ka pritur asnjëherë edhe telegrameve kurrë nuk iu ka përgjigjur. Kemi takuar gruan e Sali Berishës, Lirien, babain e saj të cilët na kanë premtuar se do të interesohemi dhe asnjë informacion nuk kemi marr”,-tha Sevdje Hoxha me zë të dridhur e me lot në sy që hera herës e detyronin të ndalonte rrëfimin për t’i fshirë lotët para trupit gjykues të drejtuar nga gjyqtari Xhelal Elezi. Në fund të rrëfimit të saj, bashkëshortja e Remziut nëna e pesë fëmijëve iu përgjigj edhe pyetjeve të avokatëve mbrojtës, të cilët u interesuan nëse Remzi Hoxha ka pas ndonjë borxhli apo problem me njerëz të ndryshëm. “Remziu nuk ka qenë njeriu që bënte keq dhe që kishte nevojë për borxhe. Ai kishte punësuar në firmën e “duraluminit” 20 punëtor të cilët i paguante me rregull dhe me rrogë të mirë. Kurrë nuk ka pas probleme me persona, por puna e tij atdhetare i ka penguar vetëm regjimit të Milosheviçit i cili nuk e la të jetonte në Kosovë dhe as në Maqedoni, duke na detyruar të vijmë në Shqipëri, ku këtu e zhdukën fare. Ne erdhëm në Shqipëri për të jetuar, pasi jemi në tokën shqiptare por këtu ja se çfarë na gjeti, është rrëmbyer dhe zhdukur burri prej 13 vitesh nga shteti:,-tha ajo duke kërkuar që t’i gjenden eshtrat për t’i varrosur në vendlindje. Ajo, nuk harroi të përmend edhe takimet dhe pritjet që i kanë bërë nëpër dyer të institucioneve të ndryshme shqiptare dhe kosovare, si takimin me Ibrahim Rugovën, Fehmi Aganin e Adem Demaçin të cilët janë zotuar se do të na ndihmonin po pa shpresë. Gjithashtu Sevdije Hoxha sqaroi gjykatën dhe prokurorin, se bashkëshorti i saj kurrë nuk ia kishte përmendur se njihte ndonjë person me emrin Ziso Kristopuli apo Avdyl Loshaj, pasi sipas saj, ai më tregonte për personat që iknin nga Kosova dhe që kërkonin strehë në Shqipëri deri sa të largoheshin nëpër perëndim, të cilët i ndihmonte me të mira materiale dhe strehim.
DJALI
TIRANË- Pas dëshmisë së bashkëshortes së Remzi Hoxhës, Sevdijes para gjykatës doli djali i biznesmenit kosovarë, Ardiani i cili në kohën e rrëmbimit ndiqte shkollë e mesme te Kolegji Turk në Tiranë. Sipas tij, dita e fundit që është parë me babin , ka qenë vetëm pak orë para rrëmbimit të tij, ku siç çdo ditë jave ai e ka dërguar në shkollë dhe më pas është larguar për në punë, tek punishtja e “duraluminit” që ndodhej në rrugën ‘Siri Kodra” në Tiranë. Që nga ajo ditë Remzi Hoxha nuk është parë dhe gjetur, por që efektivët e policisë e kishin marr për një verifikim. “Ka qenë data 22 tetor 1995, kur kam marr vesh që babai është rrëmbyer, pasi një ditë më parë na kishin thënë që ai ka shkuar në Shkodër për një projekt. Atë ditë na ka lajmëruar një punëtor i punishtes, i cili ka thënë se Remziun e ka rrëmbyer shtetit, duke perifrazuar punonjësit e SHIK-ut si shteti. Atë ditë dhe më pas kanë deklaruara punëtorët që ishin prezent në momentin e rrëmbimit se kanë qenë 9 persona me tre makina, njëra nga makinat ku ishte futur babai (Remzi Hoxha) kishte targën TR 2449 C, që i përkiste SHIK-ut. Kemi kërkuar në të gjitha institucionet por asgjë nuk kemi marr. Punëtorët i kanë përshkruar në një kallëzim që kemi deponuar në polici të gjithë personat që morën pjesë në rrëmbimin e Remzi Hoxhës, ku njëri prej tyre kishte qenë çalaman. Që nga ajo ditë e deri sot nuk kemi lënë vend apo person pa kërkuar ta takojmë, por që asnjë nga pushtetarët e asaj kohe nuk na ka pritur përveç kryetarit të Kuvendit të ndjerit Pjetër Arbnori i cili na premtoi se do të interesohej. Pyetjes se njihte ndonjë nga rrëmbyesit e babait të tij, Ardian Hoxha iu përgjigj se “në listën që familja disponon për personat e dyshuar për rrëmbimin e babait, është Bashkim Gazidede, Arben Sefgjini dhe Ilir Kumbaro por që asnjëri deri më sot nuk na ka thënë se ku janë eshtrat e Remzi Hoxhës”. “Që nga dita e rrëmbimit e deri tani, kanë ardhur pranë familjes shumë persona që dëshironin të përfitonin nga tragjedia jonë, duke na premtuar se e dinin se ku është Remzi Hoxha, por që duhej të paguajnë për ta marr. Jemi mashtruar nga lloj-lloj persona që na flisnin për trupin dhe eshtrat e Remzi Hoxhës, kundrejt shumave të ndryshme parash”-tha Ardian Hoxha, duke kërkuar nga gjykata dënimin e fajtorëve dhe kthimin e eshtrave të babait të tyre.
BOX
TIRANË- Seanca e djeshme gjyqësore zgjati rreth dy orë, ku me kërkesë të prokurorisë ishte thirrur për të dëshmuar në seancën e tetë gjyqësore bashkëshortja dhe djalit i biznesmenit kosovarë Remzi Hoxha, i zhdukur që nga data 21 tetor 1995. Gjatë seancës së djeshme dy të pandehurit e kësaj çështje që ndodhen në Shqipëri, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi kishin preferuar të mos vinin, duke i lënë kompetencat e vazhdimit të gjyqit avokatëve të tyre mbrojtës. Pas rrëfimit të dy familjarëve të afërm të biznesmenit kosovarë Remzi Hoxha, togat e zeza ndërprenë seancën gjyqësore duke e shtyrë për me datën 9 shtator të këtij viti, pas mbarimit të pushimeve verore të Gjykatës të cilët kanë një muaj kohë. Ndërkohë, për seancën e radhës, gjykata vendosi që me kërkesë të prokurorisë të thërras për të dëshmuar gjashtë dëshmitarët e radhës, duke filluar nga viktima e këtij rrëmbimi Ziso Kristopuli, e shoqja e tij Alma Kristopuli, Beqir Tërshana dhe tre vëllezërit e Remzi Hoxhës, Nexhmedin, Nebih dhe Et’hem Hoxha.