E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrest shtëpie për Nazim Bllacën

PRISHTINE- 
Arrest shtëpie për Nazim Bllacën
Gjykatësi i EULEX-it Françesko Flori i ka caktuar masën e arrest shtëpie prej 30 ditësh Nazim Bllacës, personit që deklaroi se “nën urdhrat e SHIK-ut kreu vrasje dhe aktivitete tjera kriminale”.
Prokurori i EULEX-it ka kërkuar që atij t’i shqiptohet masa e ndalimit prej 30 ditësh, por mbrojtja ka kërkuar arrest shtëpiak dhe ekzaminim mjekësor të të pandehurit.
Lajmin e konfirmoi avokati i të pandehurit Haxhi Millaku.

Bllaca: Kam kryer vrasje me urdhër të SHIK-ut
Prezantohet publikisht në qendër të Prishtinës dëshmitari i CD-së së shumëpërfolur për vrasjet e pasluftës në Kosovë. Nazim Bllaca, nga fshati Ribar i Madh, ka pranuar se është autor i një vrasjeje dhe se ka marrë pjesë edhe në 17 raste të tjera që nga vrasjet, rrahjet dhe shantazhet.
Ai nuk ka dashur ta publikojë emrin e të vrarit, duke thënë se kjo është e ditur për prokurorinë e EULEX-it.

“Kam punuar për strukturat e SHIK-ut prej vitit 1999 deri më 2003 dhe eprorë të mi kanë qenë Azem Syla dhe dhëndri i tij Shpresim Uka. Nga ky i fundit, i kam marrë emrat se kush duhet të ekzekutohet”, ka thënë Bllaca.

Ai, gjithashtu, ka bërë të ditur se i janë ofruar edhe shuma të mëdha parash, prej 400 mijë deri në 600 mijë euro, vetëm e vetëm që të mos i bëjë publike këto informata.
Ndërsa deputetët e LDD-së, Adem Salihaj dhe Gani Geci, në një konferencë për media ua kanë shpërndarë gazetarëve CD-në me dëshmitë për vrasjet e pasluftës në Kosovë në mënyrë që populli ta marrë vesh se çfarë ka ndodhur dhe kush janë vrasësit.
Policia e Kosovës ende nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare në lidhje me këtë cështje.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›