E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia: Shqipëria po mbron baronët e saj të drogës

Bari- Artan Shabani, Eno Prifti, Haliv Fici, Skënder Jusufi, Artur Vaqo, Nako Uta, Krenar Çobaj dhe Akil Dardhanjori. Këta janë baronët e trafikut të drogës në Shqipëri, "tranzituesit e shenjtë" drejt Italisë dhe Evropës të heroinës dhe së fundi edhe të kokainës. Në qendër të hetimeve më të mëdha të Drejtorisë Investigative të Antidrogës së Barit të kryera në harkun kohor prej vitit 1997 deri në vitin 2008, të cilat janë shoqëruar shpesh dhe me arrestime, rezulton se ka ende disa "kokrra të rëndësishme" të këtyre hetimeve që jetojnë në liri të plotë mes Durrësit dhe Vlorës në qetësi dhe paprekshmëri totale. Por njësoj si këta po kap të rëndësishëm mendohet se ka gjithsej 148 shqiptarë të kërkuar nga drejtësia italiane që janë duke kaluar "dënimin" e tyre nëpër oborret e shtëpive në Shqipëri. Bëhet fjalë për persona të hetuar, apo të dënuar për shumë krime të kryera në Itali. Mes dy vendeve ka një marrëveshje domethënëse, që parashikon shkëmbimin reciprok të kriminelëve. Por Shqipëria i ka punët më keq se kurrë, pasi në vitet 2007-2008 mundi të kapë 89 shqiptarë për llogari të organeve gjyqësore italiane, duke dërguar në Itali vetëm 72 prej tyre. Në të njëjtën periudhë shteti në bazë të urdhrave të gjyqësorit shqiptar mundi të arrestojë 232 persona, duke kryer dërgimin në Shqipëri të 116 prej tyre. Shpirti bashkëpunues i karakterizon të dyja vendet, por kur vjen puna në ekzekutimin e këtyre marrëveshjeve çështja komplikohet përherë. Faktet tregojnë se mëngjesin e djeshëm, përpara gjykatësve të Gjykatës së Barit, togeri i karabinierëve, Mikele Dikolanxheo, u paraqit para gjykatësve me gjashtë dosje të rënda që përmbledhin etapat më kryesore të hetimeve tashmë të unifikuara dhe të mbiquajtura "Stafeta 2" dhe "Stafeta 3", e që lidhen me narkotrafikun nga Shqipëria drejt Italisë, i cili nga këto hetime rezultoi të drejtohet nga Artan Shabani, Eno Prifti, Haliv Fici, Skënder Jusufi, të quajtur "superbosët në liri". Në të njëjtën çështje penale janë të përfshirë edhe 16 të pandehur të tjerë, ndërsa 24 prej tyre kanë zgjedhur gjykim të shkurtuar. Katër "bosët" dhe mafioz të tjerë janë të gjithë të arratisur dhe jetojnë të qetë në Shqipëri, ku mesa duket aty kanë investuar edhe të ardhurat e tyre nga trafiku në biznese të ligjshme. Prokuroria e Barit po pret prej kohësh ekstradimin e tyre në Itali, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Ndërkohë që puna e hetuesve shkon përpara dhe për pasojë këto hetime kanë nxjerrë edhe emrat e bosëve të rinj të narkotrafikut shqiptar. Nga vërejtjet e hetuesve rezulton se ka ndodhur një "ndërrim brezash" në drejtimin e narkotrafikut, ndërsa është rritur më shumë dhe cilësia e operimit të këtyre organizatave. Trafikantët e "vendit të shqiponjave", të konsideruar si tranzitorët më të mëdhenj të heroinës drejt Evropës, tashmë po e shtrijnë influencën e tyre edhe në tregun e kokainës. Në 10 vitet e fundit, antidroga italiane ka bërë në këtë kontekst me dhjetëra operacione, duke hetuar në mënyrë komplekse më shumë se 400 persona në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›