E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrest vajzës, gënjeu se e përdhunoi babai

23/04/2009  Prokuroria i kërkon gjykatës të arrestojë vajzën që mbrojti babanë pasi e paditi

Historia e incestit të denoncuar hyn në fazën e nxehtë, vajza llogari për gënjeshtrën

TIRANË- Prokuroria e Tiranës në seancën e djeshme gjyqësore kundër Ramadan Isufaj kishte përgatitur kërkesën për arrestimin e vajzës 18-vjeçare të tij, e cila e mbrojti në seancën e datës 8 prill 2009. Sipas Prokurorisë, vajza e Ramadan Isufaj, akuzuar për përdhunim, duhet të vihet në pranga dhe të gjykohet për veprën penale të “ kallëzimit të rremë” dhënë para gjykatës. Po kështu akuza ka arsyetuar dje se vajza gjatë gjithë seancës gjyqësore dhe dëshmisë së saj ka qenë në kundërshtim me fjalët e thëna më parë, madje edhe me nënën e saj. Ndonëse është vajza e përdhunuar sipas akuzës, ajo ka mbrojtur babanë duke deklaruar se ishte shtyrë nga nëna e saj për të sajuar një akuzë të tillë. Pas kërkesës së Prokurorisë, gjykata u shpreh se do të jap vendimin e saj në seancën e radhës. Më pas akuza deklaroi se ka gati materialet që e bëjnë fajtore vajzën duke i ballafaquar të gjithë deklarimet e dhëna në fazën e para të hetimeve me ato para gjykatës. Në ndihmë të akuzës ka ardhur edhe nëna e vajzës, e cila nuk i ka dalë në krahë në momentin e dhënies së dëshmisë, por ka deklaruar se ishte pikërisht vajza ajo që i ka treguar për marrëdhënien që kishte me babanë e saj që kur kishte qenë 11 vjeçe. Po në seancën e djeshme gjyqësore ishte thirrur për të dëshmuar edhe vajza e vogël e familjes Isufaj. Gjykata pasi konstatoi se vajza nuk kishte asnjë mjet identifikimi çmoi se duhej të thirrej edhe një seancë tjetër.

Padia e mohimi

Seanca e djeshme ndaj Ramadan Isufaj ka qenë e shkurtër. Ndërkohë që ai ka kundërshtuar akuzën për mënyrën se si po trajtojnë deklarimet e vajzës së tij. Isufaj është shprehur se vajza menjëherë pas kallëzimit ka lëshuar një deklaratë nëpërmjet së cilës kërkonte tërheqjen e padisë, por ka qenë akuza ajo që nuk ishte dakord me këtë pjesë. Para gjykatës ka dhënë dëshminë e saj edhe nëna e vajzës, e cila ka dalë kundër bashkëshortit, me të cilin ka pranuar se ka pasur herë pas herë kontradikta. Por sipas deklarimeve të nënës së vajzës, Isufaj ka kryer marrëdhënie me vajzën sa herë që bënte sherr në shtëpi. Aq më tepër ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka marrë vajzën dhe ikte nga shtëpia duke e shëtitur nëpër qytete të tjera. Skandali në familjen Isufaj është zbuluar pas gjashtë vjetësh. Ka qenë vet vajza ajo që i ka treguar nënës së saj për marrëdhënien që kishte krijuar me babanë. Ndërkohë që më pas është mbrojtur duke thënë se e ka mbajtur të fshehur këtë gjë nga turpi.

8 prill 2009

Vajza tërheq padinë për përdhunimin

“Më vjen keq për këtë që ka ndodhur në emër të babait tim. Nuk është aspak e vërtetë që babai më ka përdhunuar. Unë kam gënjyer që në fillim. Për të bërë një gënjeshtër kaq të madhe jam nisur nga shtrëngimet e nënës dhe nga besimi se gjendja mes tyre do të përmirësohej. Unë tashmë e kuptoj pse është duke vuajtur babai im. Ai nuk do të mund të bënte asgjë kundër meje. Por unë kam dhënë një deklarim të rremë duke u nisur nga ajo çka më ka thënë nëna ime. Pra, dua të them se e kam paditur babanë se më ka përdhunuar, pasi më parë kishim komunikuar me nënën. Ajo zihej shpesh me babanë dhe ai e rrihte gjithmonë. Unë e shihja këtë skenë që përsëritej dhe nuk kisha se si të bëja ndryshime për mirë. Një ditë jemi ulur me nënën dhe menduam se si të mund të gjenim një zgjidhje. Nëna më tha të bëja unë një padi ku ta akuzoja për përdhunim. Kështu vendosëm. Unë e akuzova, por kjo nuk është e vërtetë. Unë kundërshtoj gjithçka që kam thënë më parë.

7 shkurt 2008

Vajza kallëzon të atin

“Më përdhunoi disa herë”

"Isha 13 vjeçe kur filloi dhe ka vazhduar derisa u bëra 22 vjeçe. Në gusht të vitit që kaloi i tregova familjes se nuk e durova dot më. Mundohesha ta mbyllja, por nuk mundem. Gjithë familja e mori vesh, edhe xhaxhai dhe gjithçka u trajtua brenda familjes. Babai më ka kërcënuar kur kam qenë e vogël, më pas kur u rrita jo. Mendoja të vrisja veten ose të ikja nga shtëpia. Kam tentuar ta vras veten më 11 janar dhe vjet në shtatorë. Ndërkohë nuk shkoja në polici se me vinte turp", është shprehur vajza në momentin e denoncimit. Pas denoncimit ajo ka treguar se ka qenë nën presionin e të afërmve, sepse publikimi i një historie të tillë ka prishur imazhin e familjes dhe të fisit. Motra më e vogël ka treguar se kishte muaj që të vërtetën e babait të saj e dinte e gjithë familja, dhe ajo beson se babai ka pasur marrëdhënie me motrën më të madhe.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›