E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, PS jep detyrat për pajisjen e votuesve pa pasaportë

23/04/2009  Zbardhet strategjia e lidershipit socialist për mbështetësit e saj

“Deri më 20 maj duhet të dërgohen të gjithë votuesit socialistë pa pasaportë që ende nuk kanë aplikuar

Lidershipi i Partisë Socialiste ka shpërndarë udhëzimet, detyrat përkatëse për çdo njësi vendore lidhur me mënyrën se si duhet të organizohet pajisja e votuesve pa pasaportë. E gjithë strategjia e hartuar në dy faza konsiston në një planifikim të mirëdetajuar mbi këtë proces, ku veç të tjerave vihen re detyrat që duhet të kryejnë strukturat përkatëse sa i takon pajisjes së votuesve të njohur si mbështetës socialistë.

Faza e parë

Në fazën e parë të kësaj strategjia përfshihet një analizë e situatës për çdo ZAZ, njësi të gjendjes civile dhe qendra votimi. Nga drejtuesit socialistë kërkohet që nga formularët e sistemit të patronazhit të nxirret numri i votuesve socialistë pa pasaportë sipas Ministrisë së Brendshme, si dhe numri i votuesve socialistë pa pasaportë të identifikuar nga sistemi i patronazhit, që nuk janë në listën e Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë numri dhe lista e studentëve pa pasaportë të bëhet i mundur nga analiza e aplikimeve dhe krahasimi me të dhënat e patronazhit. Më pas nxirret numri i votuesve socialistë pa pasaportë që kanë aplikuar, si dhe lista e plotë e votuesve socialistë pa pasaportë që nuk kanë aplikuar. Kjo e ndarë sipas të dhënave që ndodhen në listën e Ministrisë së Brendshme dhe atyre që nuk ndodhen në këtë listë. Gjithashtu duhet të nxirret dhe lista e votuesve socialistë pa pasaportë që kanë aplikuar, por nuk kanë marrë kartën e identitetit. Në vijim të katër detyrave lidershipi i PS-së kërkon që të bëhet kategorizimi sipas VKM i votuesve socialistë që nuk kanë aplikuar në pensionistë, në asistencë, studentë, votues për herë të parë, persona me aftësi të kufizuar, romë, egjiptian etj. Por për të gjitha këto kategori është e rëndësishme të kuptohet sa i madh është ky grup dhe çfarë problemesh kanë votuesit e këtij grupi. Konkretisht, duke u ndalur te problemet financiare, strategjia parashikon që ato të identifikohen për secilin grup votuesish të PS-së. Kjo është e rëndësishme dhe e detyrueshme për votuesit socialistë që nuk kanë pasaportë dhe nuk janë në listën e Ministrisë së Brendshme. Po kështu të evidentohen votuesit socialistë që nuk kanë pasaportë dhe nuk bëjnë pjesë në asnjë nga grupet e përcaktuara në VKM.

Faza e dytë

Kjo fazë konsiston në nxitjen dhe dërgimin e votuesve socialistë pa pasaportë që ende nuk kanë aplikuar. Për këtë kërkohet nga të gjitha grupet e punës që të hartohet kalendari i dërgimit të votuesve pa pasaportë që ende nuk kanë aplikuar në zyrat e aplikimit. Ndërkohë çdo grup pune duhet të ketë parasysh se një stacion aplikimi mund të kryejë mesatarisht 35-45 aplikime në ditë, me objektivin për të përfunduar deri në 20 maj 2009 detyrën e dërgimit të të gjithë votuesve socialistë pa pasaportë që ende nuk kanë aplikuar. Megjithatë, në udhëzimin përkatës sqarohet se, në rast se ditët në dispozicion nuk mjaftojnë për të realizuar objektivin, vihet menjëherë në dijeni shtabi qendror elektoral.

Kalendari i veprimeve

Faza e parë përfundon më 28 prill

Kalendari për nxitjen dhe dergimin për aplikim përfundon më 30 prill 2009.

Dërgimi i votuesve për aplikim kryhet nga data 1 deri më 20 maj 2009.

Korrigjimet eventuale dhe faza përfundimtare 20 deri më 30 maj 2009.

Monitorimi i procesit

Dorëzohen në shtabin e Tiranës sipas afateve dokumentet e hartuara sipas këtij dokumenti. Raportohet në mënyrë operative çdo ditë në shtabin e Tiranës duke filluar nga data 1 maj 2009. Raportohet në Shtabin Qendror çdo të shtunë në orën 20:00 për javën paraardhëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›