E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maroni: Shqipëria, jo më në hartën e emigracionit ilegal



Shqipëria është një prej vendeve me të suksesshme në luftën ndaj emigracionit ilegal, dhe prej kohësh nuk është më pjesë e hartës së vendit nga vijnë emigrantët ilegalë, apo tranzit për emigracion ilegal. Vlerësimi u bë nga ministri i Brendshëm i Italisë, Roberto Maroni, i cili u shpreh se shteti shqiptar nuk është më një prej vendeve tranzite të përdorura nga klandestinët për të emigruar në vendet e Bashkimit Evropian, dhe tashmë mund të quhet i sigurt. Në Romë u organizua Konferenca Ndërmesdhetare mbi Emigracionin dhe Sigurinë e Kufijve (ICPMD). Në këtë konferencë morën pjesë drejtuesit e Policisë Kufitare të të gjitha vendeve mesdhetare, si dhe disa vendeve të Afrikës dhe Azisë. Në luftën ndaj emigracionit ilegal, Shqipëria u vlerësua pozitivisht. Ministri italian theksoi se nga brigjet e këtij vendi dikur kishte emigracion ilegal masiv, aktualisht ky emigracion është në kuotat zero. Këtë rast të Shqipërisë e përmendi në diskutimin e tij edhe drejtori i Përgjithshëm i ICPMD–së. Nga ana e tij, përfaqësuesi grek u shpreh se ga Shqipëria ka ende emigracion ilegal, por vetëm nga klandestinë shqiptarë, që përpiqen të kalojnë në anën tjetër të kufirit dhe jo nga shtetas të tjerë të huaj. Ai u shpreh se midis dy vendeve ka marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi, sidomos me kontrollin e alternuar të kufirit të përbashkët. Këto ndihmojnë në uljen dhe në luftën akoma më efektive ndaj emigracionit ilegal. Ai vuri në dukje se vendi nga i cili mbetet problem ky fenomen është Turqia, prej nga shkonin drejt vendit të tij klandestinë afganë, kinezë, irakianë, pakistanezë, indianë e nepalezë. Gjatë dy ditëve të konferencës folën delegatë nga shumë vende dhe nga diskutimet e tyre u paraqitën drejtimet e flukseve ilegale emigratore nga vendet e Azisë e Afrikës në drejtim të Evropës. Sipas drejtuesve të Policive Kufitare të vendeve pjesëmarrëse, janë disa rrugët që ndjekin klandestinët. Kështu, ata kalonin nga Pakistani në Iran, Turqi, Greqi dhe më pas në Itali. Një rrugë tjetër është ajo nëpërmjet Turqisë, Maqedonisë, Kosovës, Serbisë dhe Hungarisë, ose nga Turqia në Greqi dhe më pas në Itali. Gjithashtu, nga rrugët detare ku klandestinët nga vende të ndryshme të Afrikës kalonin në Libi dhe më pas në Itali, ose në Ishujt Kanarie në Spanjë. Përfaqësuesi i Policisë Kufitare të Hungarisë u shpreh se në drejtim të vendit të tij vinin klandestinë nga Afganistani, nga Greqia nëpërmjet Maqedonisë, Kosovës dhe më pas Serbisë. Gjatë diskutimeve të bëra mes pjesëmarrësve në këtë konferencë u provua qartë se harta e Shqipërisë ishte tërësisht jashtë tranzitimit të emigracionit ilegal në drejtim të vendeve të BE-së. Nëse më parë vendi ynë ishte në listën e zezë të vendeve më problematikë për sa i përket emigracionit ilegal, tashmë kjo nuk ekziston më dhe Shqipëria është kthyer në një prej shteteve më të sigurta.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›