Arrestet, Italia akuza Shqipërisë
Dhjetëra shqiptarë të shpallur në kërkim apo të dënuar në mungesë nga drejtësia italiane për trafik droge jetojnë në Shqipëri "pa u hyrë gjemb në këmbë". Edhe pse ekziston një marrëveshje mes Italisë dhe Shqipërisë për shkëmbimin reciprok të personave të shpallur në kërkim, kjo duket më e zbatueshme për palën italiane. Lajmi është bërë publik dje nga e përditshmja italiane "La Gazzetta del Mezzogiorno", e cila shkruante se "Shqipëria mbron 'zotërinjtë' e drogës". Në shkrimin e saj gazeta identifikonte persona me kombësi shqiptare të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. "A.Sh.; E.P.; H.F.; S.J.; A.V.; N.U. si edhe K.Ç. e A.D. janë zotërinjtë shqiptarë të drogës, 'shenjtorët' e trafikut ndërkombëtar drejt Italisë dhe Europës të heroinës dhe së fundmi edhe kokainës. Në qendër të disa prej hetimeve më të mëdha të udhëhequra nga antimafia e Barit, të kryera nga viti 1997 e deri në vitin 2008, të pasuara me urdhër-arreste, me persona të hetuar, të dënuar me dënime definitive, janë ende 'zogj të qiellit' dhe jetojnë në liri të plotë në Shqipëri, mes Durrësit dhe Vlorës, të paprekshëm dhe të qetë", shkruhej në të përditshmen italiane. Ndërkohë që në vazhdim bëhej e ditur se duke iu referuar të dhënave të muajve të fundit të vitit të kaluar, në këtë "status" janë edhe 148 shqiptarë të kërkuar nga drejtësia e këtij vendi. Personat në fjalë janë të dënuar ose të hetuar për vepra të ndryshme kriminale të kryera në Itali. Mësohet se autoritetet shqiptare gjatë periudhës 2007 dhe 2008 kanë prangosur vetëm 89 shqiptarë për llogari të drejtësisë italiane, 72 prej të cilëve të dërguar në Itali. Ndërkohë duke iu referuar të përditshmes italiane, për të njëjtën periudhë autoritetet italiane kanë arrestuar 232 shqiptarë në territorin italian, ndër të cilët 116 janë ekstraduar. Sipas gazetës, vetëm dy ditë më parë në një seancë përpara gjykatës së Barit, u prezantuan 6 fashikuj të rëndë që paraqisnin bashkimin e procedimeve hetimore të quajtura "Stafeta 2" dhe "Stafeta 3" për narkotrafikun shqiptar. "Trafik ky i kryer drejt Italisë nga Artan Shabani, Eno Prifti, Halil Fici, Skënder Jusufi, superbosët e lirë", citonte e përditshmja italiane. Bëhet e ditur se në të njëjtin procedim janë përfshirë edhe 16 të pandehur të tjerë, ndërsa 24 kanë zgjedhur rrugën e gjykimit të shkurtuar. Katër "bosët" në qendër të hetimeve dhe tashmë të dënuar, të paarrestuar, jetojnë të qetë në Shqipëri, ku mesa duket kanë investuar në mënyrë të ligjshme paratë e fituara nga trafiku. Drejtësia e Barit, kryesuesja e hetimeve më të rëndësishme, është duke pritur ekstradimet e tyre, por deri tashmë nuk ka asgjë. Bëhet e ditur se narkotrafikantët shqiptarë konsiderohen nga drejtësia e vendit të Apenineve si "eksportuesit" më të mëdhenj të heroinës dhe të kokainës. "Në 10 vitet e fundit, nga pala italiane janë kryer me dhjetëra operacione që kanë pasur në qendër të tyre më shumë se 400 persona".