Banesat e ndërtuara nga kompania e naftës, zvarritet privatizimi
FIER - Procesi i privatizimit të banesave të ndërtuara nga kompania “Albpetrol” gjatë viteve 1993-1996 në qytetin e Fierit po sorollat banorët. Nga 200 banesa, vetëm 97 familje kanë përfituar privatizimin. Këto apartamente janë banesa, të cilat kompania i ndau me autorizim të veçantë për të gjithë punonjësit që jepnin kontribut në kompaninë e naftës. Prej më shumë se një viti, banorët që presin të përfitojnë po sorollaten dyerve të institucioneve, pasi ky proces ka zgjatur në kohë. Procedurat në bashkinë e këtij qyteti ende nuk kanë mbaruar. Sipas burimeve të bashkisë, privatizimi i banesave të naftës është vonuar për shkak të procedurave të shumta që duhet të ndiqen. “Procesi i privatizimit të këtyre apartamenteve për ne konsiderohet i vonuar për shkak të procedurave që kërkohen në këtë rast për kalimin në pronësi fillimisht të bashkisë dhe më pas tek qytetarët. Ndërkohë që një pjesë e mirë janë emigrantë dhe interesimi ka qenë i ulët nga ana e tyre për kryerjen e procedurave”, bënë të ditur burimet e bashkisë për këtë proces. Juristi i bashkisë Luan Çala pohoi se janë depozituar në bashki 200 kërkesa për privatizim apartamentesh. Por deri tani është realizuar privatizimi për 97 familje. Nga ana tjetër, banorët shprehen se janë burokracitë e shumta ato që po i sorollatin. m.r