Dy në hetim për vdekjen e minatorit
BULQIZE - Vdekja e minatorit 32-vjeçar Behar Toçi vazhdon të hetohet nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër. Burime të rezervuara informacioni saktësojnë se ka nisur procedimi penal për dy administratorët e firmës private të galerisë 16, të pusit nr.1, në minierën e Bulqizës, ku dhe ndodhi aksidenti i së enjtes. Remzi Pupli dhe Surja Uka, përkatësisht drejtues dhe përgjegjës teknikë të kësaj galerie, janë marrë në procedim penal nga Prokuroria e Dibrës në gjendje të lirë, për të plotësuar dosjen hetimore të aksidentit ku humbi jetën minatori. Fillimisht policia sqaroi se vdekja e minatorit erdhi si pasojë e shembjes së një masivi gurësh nga tavani i galerisë. Në harkun kohor të më pak se dy viteve në minierat e Bulqizës dhe Batrës kanë humbur jetën 18 minatorë dhe në asnjë rast nuk ka pasur të dënuar nga drejtësia shqiptare. h.p