Fazlliç letër Prokurorisë, kërkon shtyrje të dëshmisë
TIRANE - Damir Fazlliç, biznesmeni serbo-boshnjak i dyshuar për pastrim parash në Tiranë, premton se do të jetë në dispozicion të Prokurorisë së kryeqytetit brenda muajit shkurt. Me anë të avokatëve të tij ai ka pohuar se, për shkak të preokupimeve me problemet e biznesit, e kishte të pamundur të vinte në Tiranë brenda datës 15 shkurt, sipas kërkesës së organit të akuzës, por premtonte se do ta bënte një gjë të tillë brenda muajit shkurt. Me anë të kërkesës së dërguar në organin e akuzës së kryeqytetit, nëpërmjet avokatëve të vet, Fazlliç premton se do të paraqitet brenda fundit të këtij muaji, duke kërkuar në të njëjtën mënyrë shtyrjen e afatit të vendosur nga Prokuroria. Burime të Prokurorisë së kryeqytetit që po kryejnë hetime në ngarkim të biznesmenit Damir Fazlliç, pohojnë se pak kohë më parë nisën një letër-porosi drejt kryeqytetit britanik, Londër. Ky veprim hetimor u krye pas pohimeve të dy avokatëve të Fazlliç, të cilët pohuan se klienti i tyre ndodhej në Angli. Me anë të letër-porosisë Prokuroria e kryeqytetit kërkoi të dërgoheshin në Shqipëri të dhëna për ndonjë precedent penal që mund të ketë pasur Fazlliç më parë në këtë vend, të dhëna mbi bizneset e tij në Angli si dhe të njihej me kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për t’u paraqitur në këtë institucion brenda datës 15 shkurt. Ndërkohë, burime pranë hetimit të dosjes “Fazlliç” pohojnë se është zbuluar se biznesmeni serbo-boshnjak ka blerë 16 hektarë tokë në zonën e Porto-Romanos në shumën e dy milionë eurove. Në lidhje me këtë janë marrë në pyetje nga Prokuroria 22 persona, 18 prej të cilëve kanë qenë pronarët e tokës dhe katër punonjës të kompanive të Fazlliç.