Energjia shkrumbon magazinën
DURRES/ OERD ULQINI
Një magazinë u përfshi nga flakët dje në Durrës, ndërsa dyshohet se shkak të jetë shkëndija elektrike. Ambientet që u dogjën ishin të mbushura me dërrasa, materiale duralumini e plastikë dhe ishin në pronësi të firmës “Shala”.
Ngjarja sipas policisë ndodhi rreth orës 11:30 pranë mbikalimit të Fllakës, vetëm tetë kilometra larg Durrësit, duke shkaktuar panik te banorët e zonës. Në magazinë, ushtrohej edhe aktivitet për përgatitjen e inerteve. Mësohet se nuk ka të lënduar, në radhët e punonjësve, pasi të shtunave organika ishte e shkurtuar. Roja i objektit ka dalluar i pari flakët, të cilat kishin pushtuar pjesën perëndimore të magazinës. Ai lajmëroi menjëherë zjarrfikëset dhe policinë për ngjarjen, ndërsa tentativa për të shuar flakët me mjete rrethanore rezultoi e kotë. Në një kohë të shkurtër në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikëse nga Durrësi, Porti detar dhe nga Fushë-Kruja. Pas më shumë se 60 minutash përpjekje kundër zjarrit, flakët janë vënë nën kontroll. Mësohet se humbjet janë të mëdha, ato llogariten në dhjetëra mijëra euro, ndonëse ekspertët ende nuk kanë kryer vlerësimin përfundimtar të dëmeve. Policia në bashkëpunim me repartin zjarrfikës ka nisur një hetim shumëplanësh për të zbardhur ngjarjen. Hetuesit nuk përjashtojnë asnjë pistë, ndonëse më e mundshmja deri më tani është shkëndija e provokuar nga ndonjë qark i shkurtër. Ata morën në pyetje edhe rojen që konstatoi i pari flakët, por ai mësohet se ka deponuar se nuk kishte parë ndonjë lëvizje të dyshimtë, duke përjashtuar pistën e zjarrëvënies së qëllimshme. Magazinat administroheshin nga pronari Enver Shala, i cili kryente në to edhe shitje pajisjesh ndërtimi, hidro-sanitaresh, panelesh etj. Flakët janë shuar plotësisht në orën 13:00. Por situata shkaktoi kaos edhe në linjën hekurudhore. Përgjatë gjithë kohës që magazina ishte në flakë, linja hekurudhore ka qenë e bllokuar për arsye sigurie. Kjo pasi flakët u konstatuan pak metra larg shinave. Sipas burimeve të policisë, një tren mallrash, i cili duhej të kalonte në atë segment ka bërë pritje të detyruar në Durrës, derisa situata është normalizuar. Zjarri shkaktoi panik edhe tek banorët e zonës.