Korçë, 54 projekte për zhvillimin
KORÇE - Arsimi, shëndetësia, ujësjellës-kanalizimet si dhe akset rurale do të jenë në prioritet të projekteve gjatë këtij viti për Qarkun e Korçës. Në konkurrimin e projekteve të hartuara nga Këshilli i Qarkut të Korçës dhe 37-të njësitë vendore të tij, të paraqitura në institucionet përkatëse qendrore, janë shpallur fitues 54 projekte. Nga këto, 28 janë për Korçën, 12 për Devollin, 7 për Pogradecin, 5 për Kolonjën dhe dy për vetë Këshillin e Qarkut. Fillimisht do t’u jepet udhë 20 projekteve, investimi për të cilat është gjykuar se janë më të domosdoshme. Projektet fitues i konfirmoi dje kryetari i Këshillit të Qarkut, Ilia Milo. “Vetëm për infrastrukturën rrugore investimet në Qarkun e Korçës nga 1 tetori dhe gjatë vitit në vazhdim shkojnë mbi 1.6 miliard lek. Duke vazhduar investimet ne synojmë ta bëjmë rajonin e Korçës sa më të pranueshëm për banorët e tij, sa më atraktiv për turistët e vendit dhe të huaj. Këto investime janë objekte në arsim, shëndetësi, ujësjellës e kanalizime, por edhe akse rrugore rurale”, u shpreh Milo. Ai e konsideroi edhe vitin 2008 një vit realizimesh për Këshillin e Qarkut që ai drejton. j.gj