Arrestime të tjera, për korrupsion

Arrestimi i katër zyrtarëve të lartë të Komunës së Mitrovicës, nën dyshim se janë përfshirë në afera korruptive me tenderë, është iniciuar nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit (AKK).
Në janar të vitit 2008, AKK-ja kishte pranuar një informatë anonime për përfshirjen e këtyre zyrtarëve të Komunës së Mitrovicës në afera korruptive.
Hasan Preteni, drejtori i AKK-së, ka thënë për Express se ky institucion ka pranuar informata në lidhje me keqpërdorimet me tenderë në Komunën e Mitrovicës.
“Kemi kryer hetimet në lidhje me këtë, kemi arritur ta materializojmë informatën dhe e kemi dorëzuar në prokurorinë e EULEX-it”, thotë Hasani.
Një vit është dashur që AKK-ja të merret me këtë lëndë dhe në fillim të vitit 2009, të gjitha informatat dhe dokumentacionin, zyrtarët e AKK-së i kanë dorëzuar në EULEX.
“Arrestimi i atyre personave është bërë pas një punë mjaft të mirë të Agjencisë”, ka treguar drejtori Hasan Preteni.
Zyrtarë të EULEX-it i kanë njoftuar drejtuesit e AKK-së se lënda është në përfundim e sipër dhe më pas ka pasuar arrestimi.
“Kanë qenë dy raste të ndarë me persona të njëjtë dhe pas hetimeve këtë e kemi përcjellë në Prokurorinë e EULEX-it, në janar 2009”, rrëfen Preteni.
Informata dhe hetime për raste të ngjashme me keqpërdorimet me tenderë, janë duke u kryer dhe janë përcjellë në Prokurorinë e EULEX-it si dhe në Prokuroritë e Kosovës, por drejtori i AKK-së nuk ka mundur të përmendë ndonjë rast konkret.
“Kemi aktivitete të shumta, por deri kur ndodh arrestimi, ne nuk mund të flasim në këtë fazë”, vlerëson ai.
Preteni ka thënë se arrestimi i zyrtarëve komunalë të Mitrovicës, si të dyshuar për korrupsion, nuk do të jetë i vetmi. Ai thotë se presin arrestime edhe të zyrtarëve të tjerë, si të dyshuar për raste të ngjashme.
“Ky nuk do të jetë rast i vetëm, por do të ketë aktivitete dhe arrestime të tjera”, thotë drejtori i AKK`së.
Prokuroria e EULEX-it dhe zyrtarë për hetime në AKK janë duke kryer hetime të zyrtarëve të lartë për mundësinë e tyre në përfshirje të aferave korruptive. “Kemi përcjellë në EULEX raste mjaft të ndjeshme....”, thotë ai. Me arrestimet që pritet të ndodhin këtë vit, Hasani thotë se do të mburren qytetarët e Kosovës me punën e AKK-së.
“Aktualisht jemi duke kryer hetime të përbashkëta me EULEX-in në disa raste të ndjeshme, mirëpo ka sinjale pozitive se ky vit do të jetë, jo vetëm për t’u mburrur, por do të kemi rezultate të prekshme që mund t`i shohin edhe qytetarët e Kosovës”, thonë zyrtarë të AKK-së.
Viti 2009 ka qenë kampion i pranimit të informatave nga qytetarët e Kosovës, shërbyesit civilë e të tjerë në AKK në lidhje me dyshimet se zyrtarë të lartë janë të përfshirë në korrupsion.
“Numri i informatave të pranuar për raste të dyshimta në afera të ndryshme është më madh se në vitin 2008”, thotë ai.
Në fillim të javës si të dyshuar për keqpërdorimi me tenderë për shtrim të rrugës dhe kanalizim janë arrestuar katër persona në Mitrovicë.
Policia dyshon se ata kanë keqpërdorur mbi 180 mijë euro.
Të arrestuarit ishin Gani Beshiri, ish-udhëheqës i Drejtorisë për Ekonomi dhe Zhvillim e Kuvendit Komunal të Mitrovicës; Besim Kurti, ish-drejtor i kësaj drejtorie, Nazmi Jonuzi, pronar i firmës rrugore ‘Ideali’ si dhe Skënder Muqolli, zyrtar i lartë në Drejtorinë Rrugore të Ministrisë së Transportit.