E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestimet nga EULEKS në Kosovë, Sejdiu: Situata nuk do të destabilizohet

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu nuk parashikon destabilizim të situatës në rast se EULEX-i fillon arrestimet e zyrtarëve qeveritare të dyshuar për korrupsion. Përkundrazi, kreu i shtetit shprehet se askush nuk do të reagojë keq kur zbatohet ligji, ndërsa shton se nuk po hetohet Kosova për korrupsion, por individët që mund të kenë rënë ndesh me ligjin.

“Unë s’them që kush në Kosovë mund të reagojë keq për çështjet që mund të jenë të bazuara në ligj, dhe nuk dua të them se a do të ndodhë apo nuk do të ndodhë. Absolutisht është çështje e institucioneve të ndjekjes të bëjnë punën e tyre. Kosova nuk është ka ndiqet, e keni parasysh këtë. Kosova është në rrugën e saj të mirë të suksesit po natyrisht që në këtë rrugë ka shumë çështje që duhet punuar, dhe punuar më mirë” tha Sejdiu.

Presidenti Sejdiu e quan të domosdoshme mbështetjen e EULEX-it në luftën kundër korrupsionit.

“Unë mbështesë gjithmonë realizimin e plotë të ligjit dhe vënien në shënjestër të gjithë asaj që është, apo të gjithë personave që mund të kenë rënë ndesh me ligjin. Edhe në luftimin e korrupsionit, institucionet e vendit duhet të bëjnë punën e tyre të suksesshme, por edhe mbështetja e EULEX-it është e domosdoshme në këtë aspekt, në pjesën e mandatit të kanë dhe ekziston një bashkëpunim i mirë” tha Sejdiu.

Kreu i shtetit zhvilloi një takim me të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës, me të cilët diskutoi për zhvillimet e fundit në vend. Takimi vjen një ditë pas adresimit të kryeministrit Hashim Thaçi ku shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për ta luftuar korrupsionin.

Ndërkohë EULEX ka paralajmëruar shtrirjen e hetimeve edhe në veri të Kosovës, për një numër rastesh, përfshirë ato të korrupsionit, krimit të organizuar dhe vrasjeve.

Zëdhënësja e këtij misioni Kristina Herodes, i ka thënë BBC-së se hetimet do të përfshijnë edhe strukturat paralele në veriun e Kosovës si dhe të gjitha organizatat e tjera e individët që dyshohet të jenë të përfshirë në krim të organizuar.

Bul Salihu < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›